Zbulo të panjohurën

KQZ-ja angazhon 416 persona për t’u mundësuar votimin qytetarëve të infektuar me COVID-19

Në ditën e zgjedhjeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të angazhojë 104 ekipe mobile, të cilat do të shkojnë në shtëpitë dhe banesat e qytetarëve me të drejtë vote, të cilët për shkak se janë të prekur nga COVID-19 nuk do të mundet të shkojnë në vendvotimin e tyre.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka shpjeguar se secili ekip do të përbëhet nga 4 anëtarë, tre prej të cilëve janë përfaqësues të subjekteve politike, ndërsa anëtari i katërt do të jetë zyrtar shëndetësor.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjatë ditës së diel, do të angazhojë gjithsej 104 ekipe mobile, pra të cilat do të dalin në terren, do të shkojnë në adresat e qytetarëve me të drejtë vote, por të cilët fatkeqësisht janë të infektuar me COVID-19 dhe që nuk do të mund të shkojnë në vendvotimin e tyre për shkak të masës kufizuese, sepse pra duhet të qëndrojnë në karantinë shtëpiake. Pra, janë gjithsej 104 ekipe lëvizëse që do të shkojnë nga njëra adresë në tjetrën dhe secila prej tyre përbëhet nga 4 anëtarë”.

“Numri i përgjithshëm i personave që përbëjnë ekipet mobile janë 416, të cilët gjatë ditës së zgjedhjeve do të angazhohen vetëm për realizimin e votimit për këtë kategori të votuesve. Secili ekip mobil përbëhet nga 4 anëtarë, 3 do të jenë përfaqësues të subjekteve politike, ndërsa anëtari i katërt është zyrtar shëndetësor me qëllim të këshillimit profesional të këtyre ekipeve të KQZ-së”, tha Elezi.

Elezi ka thënë se është obligim kushtetues i KQZ-së që edhe këtyre qytetarëve t’u krijohet mundësia për të votuar, pavarësisht rrethanës që ndodhen.

“Natyrisht se ne jemi të vetëdijshëm se ajo çfarë është me rëndësi për këta qytetarë është shëndeti dhe sigurisht se KQZ-ja uron që ta kalojnë sa më lehtë këtë sfidë, por është edhe obligim kushtetues i KQZ-së për t’u ofruar mundësinë këtyre qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar në ditën e zgjedhjeve”, u shpreh Elezi.

Më tej, ai ka bërë të ditur se këta qytetarë do të kontaktohen përmes telefonit për t’u treguar lidhur me shërbimin që e ofron KQZ-ja dhe pastaj është në vullnetin e tyre për të marrë pjesë në votim përmes ekipeve mobile.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në komunikim të vazhdueshëm me institucionet shëndetësore që merren me menaxhimin e pandemisë. Jemi duke pranuar listat zyrtare nga ta dhe qytetarët të cilët kanë të drejtë vote po i kontaktojmë përmes telefonit dhe po u bëjmë të ditur për shërbimin që ofron KQZ-ja, pra për t’u mundësuar votimin atyre përmes ekipeve mobile në shtëpitë e tyre. Natyrisht se është në vullnetin e tyre që të pranojnë ose jo të marrin pjesë në procesin zgjedhor”, tha Elezi.