Zbulo të panjohurën

Krasniqi: M’i lidhët duart dhe më kontrolluat si të jem kriminel, unë jam intelektual

Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Jakup Krasniqi, ka thënë në Gjykatën Speciale se po trajtohet si kriminel, duke i cilësuar padrejtësi të madhe akuzat ndaj tij.

Krasniqi ka thënë se është arsimuar që të jetë mësues, por është detyruar të luftojë kundër Serbisë. Ai tha se ndaj njerëzve ka pasur gjithmonë qëndrim njerëzor.

“Unë po i kuptoj ata njerëz dhe këta që janë këtu se si sillen me mua. Mendojnë që edhe unë jam përnjëmend kriminel. Jo, unë jam intelektual, jam arsimuar për me qenë mësues, por jam detyruar të luftoj kundër Serbisë. Ama ndaj njerëzve gjithmonë kam pasë qëndrim njerëzor. Unë as kaq të padrejtë sa më kanë bë prej burgut deri këtu, duke m’i lidhë duart, duke më kontrolluar dhjetëra herë… Keni procedura që mund të jenë të përshtatshme për kriminelë, por jo për mua”, ka thënë Krasniqi.

Ish-kryeparlamentari ka treguar se ka dëshmuar dy herë në Tribunalin e Hagës për krimet në ish-Jugosllavi, ndërsa tha se do të dënohej po të kishte diçka inkriminuese.

“Ju e dini që në ish-Jugosllavi ka pasë një Tribunal. Unë dy herë kam qenë dëshmitar në Tribunalin e Hagës dhe po të kishte një fakt të inkriminuar, Tribunali i Hagës do të më dënonte. Unë e shoh këtë si përpjekje të fundit. Akademia e shkencave e Serbisë e ka bë këtë përpjekje dhe ia arriti qëllimin. Nuk ka njeri që s’e di kush ka bë krime në Kosovë. Dhe kjo më dhemb, më dhemb shumë sepse është padrejtësi e madhe”, ka deklaruar Krasniqi.

Të mërkurën, ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi u arrestua dhe u dërgua për në paraburgimin e Dhomave të Specializuara. Për në të njëjtin destinacion, me një avion ushtarak, të nesërmen u nisën edhe ish-bashkëpunëtorët e tij në luftë, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryetari i PDK-së, Kadri Veseli dhe shefi i Grupit Parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi.

Arrestimet erdhën pasi një gjyqtar i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale, ka konfirmuar aktakuzat ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.

Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Aktakuza i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999. Prokuroria e Specializuar i akuzon krerët e UÇK-së se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve.