Zbulo të panjohurën

Kurti: 14 shkurti do të jetë si shi i madh bereqeti për popullin

Kandidati për Kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, në përmbyllje të fushatës zgjedhore në sheshin “Skënderbeu”, në Prishtinë u shpreh i bindur se do të dalë fitues në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Të gjithë ju e dini se dy brengat kryesore të qytetarëve edhe sipas çdo ankete vendore dhe ndërkombëtare, janë papunësia dhe korrupsioni, vjedhja lart dhe varfëria poshtë janë të lidhura. Punësimi kryesisht me të njohur, hajnat e mëdhenj poashtu me të njohur, vetëm prokuroria nuk është në dijeni e nuk po i njeh ata, ne do ta mundësojmë me qeverinë tonë edhe aktivizimin e prokurorisë”.

“Në zgjedhjet e së dielës, mbështetje për ne do të jetë si shi i madh bereqeti për popullin e si vërshim lamtumirës për pushtetin. Me fitoren e 14 shkurtit e bukura fiton mbi shëmtinë e drejta fiton mbi padrejtësinë. E vërteta fiton mbi mashtrimin, puna fiton mbi dembelinë, besa do të fitojë mbi tradhtinë, bashkëpunimi fiton mbi servilitetin, natyra mbi tymin dhe betonin”.

“Ne shqiptarët duam partneritet të fuqishëm me aleatët tanë, SHBA-të, NATO, BE, Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Francën, Italinë dhe të gjitha shtetet e tjera që na duan të mirën. Si shqiptarë kujdesemi si askush tjetër për pakicat kombëtare, njëkohësisht duhet të jemi krenar duhet të kemi vetëbesim dhe të mos ndjehemi të dobët sepse jemi një komb dy shtete. Kurrë mos e harroni, ngado mbajeni në mend që jemi një komb dy shtete”, tha Kurti.