Zbulo të panjohurën

Kurti thoshte se Rakiq ruan qetësinë, kompania e tij bllokon rrugën në Veri

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiq, ka reaguar pas aksionit të sotshëm të Policisë së Kosovës, për të luftuar kontrabandën. Rakiq para mediave tha sot se me këtë aksion “është mbushur gota”.

Rakiq para nisjes për Rashkë ku do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se serbët nuk do të durojnë më.

“Nuk e di se sa njerëz do të jenë në takim me Vuçiqin, ndoshta 10-15 mijë, por ne nuk mund të durojmë më e as nuk do të durojmë. Me këtë është mbushur gota”, ka thënë ai.

Sipas tij, nga Vuçiqi do të kërkohet sqarim “nëse do të ndihmojë serbët në veri apo jo”.

“Do të kërkojmë konkretisht a mund të na ndihmojë apo jo, a dëshiron të na ndihmojë apo jo, por duhet ta kemi këtë informatë qysh sot, pasi për ne është çështje jetë a vdekje”, ka thënë ministri i kabinetit qeveritar.

Policia e Kosovës sot ka ndërmarrë aksion të gjerë në gjithë vendim për luftim të kontrabandës dhe në të gjitha qytetet ka shkuar gjithçka qetë, pos në veri ku ka pasur rezistencë të banorëve serbë.

“Ka mbetur të na marrin edhe ajrin, më nuk do të lejojmë”, shtoi Rakiq.

Ndërkohë, sic raporton Koha.net, kamionë të kompanisë së pastrimit në Mitrovicën Veriore, “Standard”, ku drejtor figuron ministri i Kosovës, Goran Rakiq, po bllokon rrugën në veri, pas aksionit të Policisë së Kosovës në luftim të kontrabandës.

Vetë ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq, në deklarimin e pasurisë në kuadër të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit në Serbi pati deklaruar pozitën e drejtorit në këtë ndërmarrje të regjistruar në Serbi, ndërsa në deklarimin e pasurisë në Kosovë pati deklaruar vetëm pozitat nga institucionet e Kosovës.

Në uebfaqen e kësaj kompanie te pozita e drejtorit figuron emri i Rakiqit.

Gjatë aksionit, Policia ka njoftuar se janë lënduar 6 policë, ndërkohë që në gjithë vendin për kontrabandim me mallra ka arrestuar tetë persona e është në kërkim të pesë të tjerëve.