Zbulo të panjohurën

Kuvendi voton qeverinë e re “Kurti 2”


Topi sërish te Albin Kurti. Qytetarët ia dhanë edhe një mundësi liderit të Lëvizjes Vetëvendosje. Shumica e përfaqësuesve të popullit në Kuvend sapo kanë votuar për ta zgjedhur sërish në krye të Qeverisë liderin nacionalist të qendrës së majtë.

Albin Kurti e ka mbërritur edhe njëherë qëllimin për të cilin u mundua shumë. 67 deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë votuar për formimin e Qeverisë së re, të cilën do ta udhëheqë ai. Kurti do ta synojë tranzicionin e premtuar delikat, pas shumë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008.

“Ishte kjo një rënie e domosdoshme për ngritjen e nevojshme”, tha Kurti më 26 mars 2020, pasi një natë më herët, LDK-ja me të cilën po qeveriste dhe partitë opozitare, e rrëzuan Qeverinë që ai po e udhëhiqte për herë të parë. LDK-ja, që e formoi një qeveri tjetër pas rrëzimit të Kurtit, argumentoi se ai po i dëmtonte seriozisht raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Partia më e vjetër në vend humbi një vit pas, kur në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare mori rezultatin më të dobët në historinë e saj. Skena politike në Kosovë u anua ndjeshëm në favor të Vetëvendosjes dhe udhëheqësit të saj, Albin Kurti. Narracionit të tij se u rrëzua pa të drejtë, qytetarët i besuan në garën për t’i mposhtur “strukturat e vjetra politike”. Gjysma e qytetarëve që votuan më 14 shkurt, ia dhanë pa mëdyshje mundësinë tjetër LVV-së, që i mori 50.26% të votave. Lëvizja e Kurtit u rrit nga një lëvizje rebele që protestoi dhe kundërshtoi ashpër pothuajse gjithçka, në një udhëheqëse të vendit i cili përballet me shumë sfida dhe nga e cila ata qytetarë do ta presin ndryshimin e premtuar me vite.

Sfida më e madhe – dialogu me Serbinë

Sfida më e madhe e Albin Kurtit është dialogu me Serbinë, ndonëse kryeministri i sapozgjedhur nuk e konsideron këtë çështje prioritet të tij. Ai beson se qytetarët e kanë zgjedhur t’u marrë më shumë me çështjet tjera, ndër të cilat ai përmend menaxhimin e pandemisë, luftën kundër krimit dhe korrupsionit si dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Kurti thotë se qytetarët e Kosovës kanë treguar në sondazhe se çështja e dialogut me Serbinë për ta është në vendin e 6-të apo të 7-të të prioriteteve.

“Qytetarët na kanë zgjedhur neve dhe ne u përgjigjemi atyre”, është një frazë që Kurti e përdor shpesh në raste të tilla. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe fuqitë perëndimore duan ta shohin dialogun me Serbinë si çështje të rëndësishme në planin e Kurtit në qeverisje. Që pas fitores së tij në zgjedhje, atij i është bërë me dije se këtë çështje s’mund ta anashkalojë. Për të, emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, erdhi në Kosovë dhe tha se pret që dialogu të rinis shumë shpejt.

Zmbrapsja drejt kompromiseve

Deklaratat e Kurtit se dialogu s’është prioriteti i tij i kanë shqetësuar autoritetet në Berlin, Paris e Washington, i cili është sponsori kryesor ndërkombëtar i Kosovës. Departamenti i Shtetit ka thënë se duan ta inkurajojnë Qeverinë e re të Kosovës për t’i bërë negociatat me Serbinë prioritet në rrugën e njohjes ndërkombëtare. Deri më tani, Kurti ka treguar jo pak neveri ndaj kompromiseve në negociatat me Beogradin. Megjithatë, atij ia rikujtojnë gjithnjë se këtë do t’i duhet ta bëjë.

Kurti duket se shpreson që qasja që dialogu të jetë prioritet të ketë kaluar me administratën e Donald Trumpit, por nuk është kështu.

Në opozitë, ngadalë por suksesshëm e ndërtoi besueshmërinë e njerëzve mbi rezistencën dhe rebelimin e tij “të arsyeshëm”. Por në Qeveri, ai duhet të bëhet edhe diplomat. Ky është shansi i madh i tij, por edhe detyra më e vështirë për të.

Sërish erdhi radha juaj, Z. Kurti! Urdhëroni!