Zbulo te panjohurën

Limaj në Mitrovicë: Kosovës i duhet një kryeministër që mbronë interesat e vendit, pa i prishë marrdheniet me miqtë

Kandidati për kryeministër nga koalicioni Nisma-AKR-PD, Fatmir Limaj, ka thënë se qeveria e ardhshme me shumë gjasë do të jetë qeveria që do të përmbyllë dialogun me shtetin serb.

Ai në një takim me struktura të partisë në Mitrovicë, u ka bërë thirrje atyre që të mobilizohen për të bërë këtë koalicion fitues. “Vendi ku jemi e tregon më së miri në çfarë faze jemi. Ka shumë mundësi që deputetët që ju i votoni kanë me qenë ata që kanë me vendosur për marrëveshjen me Serbinë.

Prandaj është shumë më rëndësi të merret seriozisht ky proces zgjedhor. Unë pres që qeveria e ardhshme të futet në procesin e dialogut dhe ta mbyllë procesin e dialogut. Duhet të jemi të kujdesshëm në dorën e kujt po e lëmë shtetin”, tha ai. Limaj tha se në këto zgjedhja janë 5 persona që e kërkojnë votën për kryeministër të Kosovës, e që sipas tij qytetarët e kanë mundësinë që të dinë se kush duhet ta udhëheqë shtetin.

Pretendenti për kryeministër të vendit edhe një herë ka ftuar kundërkandidatët e tij që të përballen në një debat, pasi sipas tij qytetarët duhet të dinë se çka ofrojnë këta kandidatë.

Ai tha se e di çka do të thotë të marrë një vendim nga i cili vendim varet e ardhmja e vendit. Limaj ka ripërsëritur se kundërkandidatët e tjerë nuk e kanë përvojën për të udhëhequr me shtetin, ku përmendi se ka nga ata që nuk kanë pasur asnjëherë një punë, e dëshirojnë të bëhen kryeministër. “Neve na duhet qeveri reformatore, që e nxjerrim këtë vend për 20, 30 vitet e ardhshme.

Unë e kam si mision të vetëm si kryeministër reformator të kryejmë disa punë, dialogu me Serbinë, paketa sociale, fuqizimi i bujqësisë”, tha ai. Kreu i Nismës tha se i vije turp të flas për Trepçën, për gjendjen e minatorëve, pasi sipas tij shumë më herët është dashur të zgjidhjet fati i tyre. Kurse sekretari i Nismës, Bilall Sherifi u shpreh se kandidati i tyre për kryeministër është më i përgatituri për të marrë udhëheqjen e Kosovës.

“E tërë vepra e Fatmir Limajtështë për Kosovën. Kundërkandidatët e Limajt fshihen prapa partive dhe nuk i përgjigjen. Ata dëshirojnë të fshihen prapa partive dhe jo të përballen me kundërkandidatin e tyre. Kosova po hyn në një fazë ku do të vendoset për 100 vitet e ardhshme. Ky kryeministër do të vendos për fatin e Kosovës. Përvoja që e ka Limaj e ka më të madhe se të gjithë të tjerët dhe përgatitjen, sepse në bisedime nuk mund të shkosh pa pasur njohuri”, tha ai. Sherifi tha se Fatmir Limaj shquhet si figurë unifikuese dhe do të arrinte t’i bënte bashkë të gjithë për të mirën e shtetit. Nga dega e Nismës në Mitrovicë dhe kandidate për deputete, Hyrije Gashi-Kodra tha se kjo degë po hynë në zgjedhje më e përgatitur se kurrë. Ajo tha se përveç programit si Nismë u ofrojnë qytetarëve kandidatët më të mirë për deputetë nga regjioni i Mitrovicës. “Kjo është dëshmia më e mirë se programi i Nismës po gjen mbështetje nëçdo shtresë të shoqërisë. Nisma po rritet çdo ditë fal programit të saj, liderit të saj Fatmir Limaj”, tha ajo.

Kandidatët për deputet nga Mitrovica të Nisnës janë: Mustafë Haziri dhe Hyrije Gashi-Kodra.