Zbulo të panjohurën

Luljeta Aliu sqaron deklaratën e dhënë në “Pressing”: E kisha fjalën për Krilevën e Gollakut

Opinionistja Luljeta Aliu ka sqaruar deklaratën e bërë mbrëmë në emisionin “Pressing” të T7, duke thënë se u kërkon falje njerëzve që i ka lënduar dhe se nuk ka pasur mendim të ofendojë qytetarët. Aliu ka thënë se e ka pasur fjalën për Krilevën që gjendet në Gollak.

“Unë, nga thellësia e shpirtit, ju kërkoj falje njerëzve që i kam lënduar. Asnjëherë nuk ka qenë mendimi im të ofendoj qytetarët tanë. Ju e dini se nuk jam person që ofendon të tjerët. Qëllimi ishte të ju dal në mbrojtje qytetarëve. Mirëpo, tani, sigurisht që kjo përdoret kundër meje nga kundërshtarët, duke e fryrë dhe duke më demonizuar mua”, ka shkruar Aliu.

Aliu ka shkruar në Facebook se ka reaguar shpejt dhe tani po i bart pasojat.

“Krileva është fshat në Gollak. Në momentin kur e përdori kolegu si ofendim, kisha bindjen se po ofendon qytetarët tanë, të Kosovës. Dhe natyrisht reagova. Mirëpo, duke menduar se po i mbroj qytetarët kosovarë, reagova shpejt dhe tani po i barti pasojat. Mbrëmë flisnim për linqime. E kjo që po ndodhë tani në rrjete sociale ndaj gabimit tim është linqim”, ka shkruar ajo.

Luljeta Aliu ka eskaluar në emisionin “Pressing” në T7 ku po debatonte me Ardian Kastratin, i cili së fundmi aderoi në PDK. Ky i fundit i tha Aliut se mënyra si ajo diskuton është tendencë për ta barazuar votuesin e PDK-së me një të Kralevës në Serbi, por shtoi se këtë nuk e tolerojnë.

E këtu Aliu eskaloi duke thënë se “pse po e ofendon Kralevën”

Kastrati reagoi duke i thënë se po i ofendon mbi 200 mijë votues të PDK-së, duke i  konsideruar si njerëz të barabartë me serbët e Kralevës në Serbi.