Zbulo të panjohurën

Lumezi ndryshon prokurorin në rastin e vrasjes së Agonis Tetajt në Deçan

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksander Lumezi, ka reaguar pas publikimit të videos së vrasjes së Agonis Tetajt nga Deçani dhe letrës publike të babait të tij, Isuf Tetaj, i cili akuzoi prokurorin e rastit, Agron Uka, pas ricilësimit të veprës penale nga “Vdekje e rëndë” në “Vdekje nga pakujdesia”, raporton Gazeta Express

Lumezi ka deklaruar se ka marrë vendim që do ta caktojë një prokuror tjetër për këtë rast.

“Si Kryeprokuror i Shtetit jam i shqetësuar dhe njëkohësisht i gatshëm që drejtësia të shkojë në vend. Prandaj, për të parandaluar njëanshmërinë dhe për t’iu shmangur paragjykimeve për rastin e vrasjes së Agonis Tetajt, sot kam marrë vendim që brenda kompetencave të mia ligjore të marrë lëndën nga prokurori i çështjes dhe ta ricaktoj atë te një prokuror tjetër”, thuhet në reagimin e kryeprokurorit të Shtetit.

“Gjithashtu, do të kërkojmë nga trupi gjykues që të mos e shpallë shqyrtimin gjyqësor të përfunduar, por të marrë prova të tjera të nevojshme, të cilat do ta zbardhin tërësisht të vërtetën në këtë çështje penale-juridike, konform nenit 357, paragrafi 1 të KPPRK-së”, ka deklaruar Lumezi.

Ai ka thënë se pas vlerësimit të lëndës, ata që kanë bërë sjellje eventuale joprofesionale, do të përgjigjen për veprimet e tyre.

“Po ashtu, pas vlerësimit të lëndës, të gjithë ata që kanë bërë sjellje eventuale joprofesionale dhe në kundërshtim me ligjin do të përgjigjen për veprimet e tyre. Prandaj është e rëndësishme për të gjithë dhe për publikun e gjerë të kuptohet se Prokurori i Shtetit nuk bënë përjashtim për askënd, pa marrë parasysh se ku punon ose më kë bashkëpunon”, ka deklaruar Lumezi.

“Si Kryeprokuror i Shtetit, siguroj familjen dhe të gjithë qytetarët se do të angazhohem për drejtësi maksimale për këtë rast”, ka thënë ai.

Isuf Tetaj, të mërkurën ka publikuar aktakuzën dhe videon e momentit të vrasjes së të birit.

Ai ka kërkuar nga Kryeprokurori i Shtetit dhe ambasadorët e huaj në Kosovë, të vendosin drejtësi në rastin e vrasjes së djalit të tij.

Krejt kjo ka ndodhur si pasojë e rikualifikimit të veprës penale nga prokurori i rastit, Agron Ukaj, nga “Vdekje e rëndë” në “Vdekje nga pakujdesia”.