Zbulo të panjohurën

LVV’ja bënte thirrje të votohej Albin Kurti, pse s’po përmenden më votat e tij

Albin Kurti nuk ishte certifikuar për të marrë pjesë personalisht në zgjedhje, por Lëvizja Vetëvendosje nuk e hoqi nga lista. Përkundrazi, vazhdonin thirrjet që ai të votohej. Zyrtarë të lartë të kësaj partie kërkonin që Kurti të votohej, që të arrinte numër historik të votave, ani pse dihej se ato ishin të pavlefshme. Opionistë politikë thoshin se Kurtit po i duhen votat që të bëhet de facto lideri më i votuar. Por, pse tash LVV’ja nuk po përmend më votat e Kurtit? A u votua Kurti më pak se Vjosa Osmani, pasi votuesit e dinin se ato vota do të shpalleshin të pavlefshme?

Albin Kurti doli më i votuari nga zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019. 183 mijë e 868 qytetarë e kishin votuar atë, për t’ia lënë në duar qeverisjen e vendit. Bazuar në pritjet për reazultatin e LVV’së, Kurti pritej po ashtu që të dalë edhe një herë kandidati më i votuar.

Kurti ishte zotuar që do të garonte në zgjedhje, ani pse këtë ia kishte ndaluar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese i cili thoshte se të gjithë personat e dënuar në tri vitet e fundit, nuk mund të garojnë në zgjedhje.

Anëtarë të VV’së patën bërë thirrje që qytetarët ta votojnë Kurtin.

Qytetarët e votojnë numrin 1 pa kurrfarë problemi

Konjufca pati deklaruar se qytetarët do ta votojnë numrin një dhe se fletëvotimet ku votohet Kurti, nuk mund t’i shpallë të pavlefshme asnjë gjykatë.

“Gjykata kushtetuese nuk është zot në këtë vend. Ajo i nënshtrohet vullnetit të sovranitetit popullor, dhe prej tij ndërtohet parlamenti. Qytetarët e votojnë numrin 1 pa kurrfarë problemi, asnjë gjykatë nuk mund ta shpallë të pavlefshëm atë fletëvotim”, kishte deklaruar Konjufca.

Anëtarja tjetër e VV’së, Albulena Haxhiu, pati deklaruar se institucionet iu frikësuan legjitimitetit të Kurtit dhe ia pamundësuan kandidimin.

Madje, Haxhiu thoshte se Kurti do të marrë një numër shumë më të madh e historik votash.

Kurti do të legjitimohet kësaj radhe me një numër shumë të madh e historik votash

“Të gjitha votat për numrin 1 në listën e LV, numërohen. Vota për numrin 1 në listën tonë nuk është votë e pavlefshme as për subjektin dhe as për kandidatët tjerë. Vota për numrin 1 është votë për praninë që nuk mund të bëhet mungesë. Çdo votë për numrin 1 është votë për Albin Kurtin. Është votë kundër padrejtësisë që u bë nga institucionet e kapura. Disa pushtetarë, me anë të kontrollit që kanë mbi KQZ e institucione të tjera, e bënë këtë veprim vetëm që të pamundësojnë atë që dihet, që Kurti do të legjitimohet kësaj radhe me një numër shumë të madh e historik votash”, kishte deklaruar Haxhiu.

Por, dhjetë ditë pas 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje e cila doli fituese e këtyre zgjedhjeve, nuk ka publikuar ende statistika për votat e liderit të partisë.

Gazeta Express ka kontrolluar formularët e rezultateve në Prishtinë, ku ka vërejtur se në dy qendra të votimit, edhe pse nuk ka pasur hapësirë për numrin një, komisionerët kanë shkruar edhe votat e Albin Kurtit.

Në një vendvotim në Prishtinë, Kurti ka marrë 146 vota, derisa më shumë vota ka marrë numri dy në listën e partisë së tij, Vjosa Osmani.

Formulari nga një vendvotim në Prishtinë

Edhe në një vendvotim tjetër, në të cilin komisionerët i kanë numëruar dhe regjistruar votat e Kurtit, ai ka më pak vota se Osmani.

Formulari nga një vendvotim në Prishtinë

E derisa nuk dihet se sa vota ka siguruar Albin Kurti në zgjedhjet e 14 shkurtit dhe a i kanë numëruar komisionerët votat e tij, Vjosa Osmani e cila me iniciativën e saj ishte pjesë e listës së VV’së, ka dalë më e votuara në partinë e Kurtit.

Sipas raportimeve jozyrtare nëpër media, ajo ka marrë mbi 250 mijë vota në tërësi. Nëse kjo qëndron, atëherë Osmani bëhet politikania më e votuar ndonjëherë në Kosovë, me sistemin zgjedhor me lista të hapura.

Vjosa Osmani më e votuara në partinë e Kurtit

Ndërkohë, një nga zyrtarët e VV’së që kishte bërë thirrje që të votohet Kurti, ishte edhe Sami Kurteshi, i cili është anëtar i kësaj partie në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Ai kishte deklaruar se qytetarët mund ta votojnë Albin Kurtin, dhe se votat për të do të numërohen nga komisionerët.

Express ka kontaktuar Kurteshin për ta pyetur nëse komisionerët i kanë numëruar votat e shefit të Lëvizjes Vetëvendosje.

Kurteshi ka deklaruar se KQZ’ja i ka ndryshuar formularët. Madje, ai thotë se në këtë mënyrë janë përzier votat e kandidatëve dhe se  ka mundur të ketë gabime gjatë bartjes së votave të tyre.

Janë përzier për shembull votat e të parit me të dytin

“Çështja është se ju e keni parë se si ka shkuar krejt kjo rrjedha e votimeve, realisht KQZ’ja e ka prekë një formular, pjesën e asaj broshurës së kandidatëve, duke i ndryshuar numrat në mënyrë të kotë. Kjo është e mundur se si pasojë e kësaj janë përzier për shembull votat e të parit me të dytin apo votat e të gjashtit me të shtatin, bartja e gabueshme. Mirëpo, kjo nuk ndikon asgjë në votat për subjektin, sepse kandidatët që nuk janë certifikuar, ka qenë zgjedhje e subjektit politik a i zëvendëson apo jo. Lëvizja Vetëvendosje ka vendosur të mos i zëvendësojë, ata kanë mundur të mbesin numrat ashtu siç janë dhe të regjistrohen në formularët në origjinalë, kjo nuk është bërë”, ka deklaruar Kurteshi.

I pyetur nëse me “janë përzier votat e të parit me të dytin” po aludon se votat e Albin Kurtit kanë shkuar te numri dy në listën e VV’së, pra Vjosa Osmani, Kurteshi ka deklaruar se nuk është marrë me numërimin e votave të Kurtit e as të tjerëve.

“Në këtë drejtim nuk po them asgjë, as nuk po deklaroj asgjë, unë vetëm e shpjegova dukurinë. Dukuria është kjo, ka raste, ne kemi pa raste të bartjes së gabueshme të votave, nëse ka edhe vetëm një rast ne nuk mund të themi se nuk ka. Unë nuk jam marrë me këtë çështjen e numërimit të votave për z.Kurti dhe për asnjërin prej kandidatëve, sepse unë nuk merrem me departamentin e votës fare. Unë personalisht meqenëse nuk jam marrë vetë në mënyrë të detajuar me formularët, nuk guxoj të them, por e di që ka bartje të tilla, të gabueshme, por nuk guxoj ta them sepse s’jam marrë me atë çështje fare, unë merrem me krejt çështje tjera, por ka do të thotë, bartje të tilla të gabueshme. Nuk janë numëruar ende votat kështu që nuk mund të thuhet asnjë shifër e saktë…”, ka deklaruar Kurteshi.

E di që ka bartje të tilla, të gabueshme të votave

Ai ka treguar edhe se si ka mundur të ngatërrohen votat e një kandidati me një tjetër.

“Dy raste ka, sepse njerëzit kanë punue, dhe sipas asaj rutinës i shkruajnë rend, dhe kur vjen një moment ‘a s’e paskemi numrin gjashtë, e çka ka bë? Ku i kemi bartë këto vota? U i paskemi bartë të gjashtit te i shtati, të shtatit te i teti, të tetit te i nënti’, edhe e kanë pa dikur dhe kanë fillua me i përmirësua, ose për shembull ‘s’i paskemi bartë votat e njëshit, i paskemi bartë te dyshi, treshi, katërshi’… Këto janë, por unë nuk mund të them me saktësi për ndonjë numër dhe mendoj se askush nuk mund të thotë, as në QNR (Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve) as askund nuk mund të thuhet saktësisht, sepse vetëm kur të dalin formularët e vendvotimeve mund të shihet si është saktësisht gjendja.

Kujtojmë se Lëvizja Vetëvendosje bashkë me listën e Vjosa Osmanit, kanë dalë fituese të zgjedhjeve të 14 shkurtit me mbi 47 për qind të votave të rregullta. Në këtë rezultat nuk janë të përfshira votat me kusht dhe votat me postë.