Zbulo të panjohurën

Meliza Haradinaj me akuza të rënda ndaj Pal Lekajt, thotë se ai ka kërcënuar e shantazhuar

Ish-ministrja e jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj, ka bërë një reagim të gjatë në Facebook ku ka sulmuar bashkëpartiakun e saj Pal Lekaj. Ajo madje ka ironizuar me të duke e quajtur “Nënkryetari ‘i përhershëm dhe i pamposhtur’”.

Haradinaj-Stublla dha dorëheqje sot nga postet e saj në qeveri dhe brenda partisë.

Në njoftimin për dorëheqjen e saj ajo akuzoi disa njerëz brenda AAK-së që sipas saj po kontrollojnë dhe shantazhojnë përbrenda këtë parti.

Lidhur me këto akuza kishte folur për Gazetën Sinjali, deputeti i zgjedhur nga AAK, Pal Lekaj.

Lekaj ka thënë për Sinjalin se vendimi i Haradinaj-Stubllës është i ngutshëm dhe ka ardhur në një moment jo të përshtatshëm. Kjo pasi që, sipas tij, një veprim i tillë është dashur të merrej atëherë kur racionaliteti vendoset mbi emocionet personale.

“Unë e vlerësoj znj Haradinaj-Stublla për angazhimin dhe profesionlizmin e treguar ndër vite në AAK mirëpo më duket se ajo është ngutur me vendimin e saj për tu larguar nga AAK në këtë kohë kur gjërat ende janë të padefinuara dhe veprime të tilla kaq të mëdha bëhen në momente më të qeta dhe kur racionaliteti vendoset mbi emocionet personale por në fund të fundit vendimet i takojnë asaj dhe neve na mbetet vetëm t’i respektojmë”, ka thënë Lekaj për Sinjalin.

“Nuk e kam kuptuar se çfarë ka dashur të thotë me këtë deklaratë mendoj se kjo duhet sqaruar nga ajo vet sepse tash të gjithë e din që z. Haradinaj është person me intigritet e le më të izolohet nga partia e tij”, tha ai tutje.

Lidhur me dyshimet për blerje votash, Lekaj ka thënë se ka qenë i befasuar me këto zhvillime, pasi që ka besuar se procesi në QNR do të shkonte në rregull.

“Zhvillimet e fundit për mua kanë qenë befasi e madhe sepse përkundër fjalëve që qarkullojnë pas çdo procesi zgjedhor unë personalisht kam besuar shumë në procesin që zhvillohej brenda QNR-së këto zhvillime të fundit janë tronditje për demokracinë kosovare edhe shpresoj që organet të shkojnë deri të fund të zbardhjes së këtij procesi”, u shpreh Lekaj.

Ajo tani ka bërë një reagim të gjatë në Facebook ku i ka reaguar Lekajt.

“Kryetoksiku paska ‘vlerësuar’ punën, kontributin, dhe bashkëpunimin me mua, duke thënë se nuk e ka kuptuar saktësisht deklaratën time… e mu për këtë arsye, po ia plotësoj me gjithë qejf dëshirën.”, ka thënë ajo.

“Nënkryetari ‘i përhershëm dhe i pamposhtur’, i cili trembi e largoi shumë figura të dinjitetshme e kredibile nga strukturat e degës në Gjakovë, dhe nga kryesia qendrore e partisë, vetëm e vetëm për të mos humbur ‘pushtetin’ e tij përbrenda partisë, duke qëndruar me insistim afër kryetarit Haradinaj. Fakt i mirënjohur tashmë që ka shumë të tillë si ky zotëriu përreth aty, nga të gjitha anët, por meqë paska reaguar pa e pyetur kush, si po të ndihej fajtor – po merrem me të, sa për të gjithë”, shton Haradinaj-Stublla.

Ajo hedh akuza ndaj Lekaj se ka kërcënuar dhe shantazhuar votuesit e AAK’së.

“I shokuar nga rezultati i natës së zgjedhjeve, pas mbylljes së vendvotimeve dhe numërimit në Gjakovë, ishte pikërisht ky që tregojnë shumë burime se ‘shantazhoi e kërcënoi’ të gjithë mbështetësit e sinqertë të AAKsë që përkrahën kandidatë të tjerë, specifikisht JO atë dhe rrethin e tij të të panjohurve dhe të sapoaderuarve në listë. I mbajti hermetike rezultatet e Gjakovës për kandidatët e AAK-së për dy ditë rresht, mesiguri që për asnjë arsye të shëndoshë.”, shkruan ajo.

“Jam tani mjaft me përvojë – zotëri, dhe vitet që kam përpara, më duhet t’i shpenzoj për të realizuar të vërtetën time, misionin tim, ëndrrën e gjeneratës sime, e jo të vazhdoj të qëndroj e heshtur para ‘kriminaliteteve të shumëllojshme’ të njerëzve si ti e rrethi yt, që kujtoni se jeni të barabartë me mua e mund të vlerësoni punën e kontributin tim që as se kuptoni, as skeni kapacitet intelektual t’a komentoni, e as që keni bashkëpunuar ndonjëherë me mua për të më njohur.”

Ky është shkrimi i plotë i Haradinaj-Stublla: