Zbulo të panjohurën

“Mendova se një pjesë të grupit e kanë vrarë”, atleti tregon për shkrepjen me armë në Zubin Potok

Në drejtim të një grupi prej rreth 50 personave pjesë e “Kosovo Mountain Club”, janë shkrepur dje disa plumba në zonën e Zubin Potokut.

Sipas organizatorëve, paraprakisht policia ka qenë e njoftuar për ecjen, por gjatë rrugës ata kanë hasur në dy persona që kanë shtënë me armë zjarri në afërsi të tyre.

Adnan Beqiraj udhëheqës i këtij grupi, i ftuar në emisionin Frontal në T7 me Arsim Lanin, ka treguar se sulmi apo frikësimi i tyre mund të ketë qenë i planifikuar, dhe se mund të jetë bërë nga personat që e kanë kontrolluar atë vend.

Ai thotë se për vizitën e tyre e kanë njoftuar policinë, por që ky rast mund të ketë qenë i organizuar

Beqiraj tregon se pas shkrepjes së disa plumbave, ai ka menduar se janë vrarë një pjesë e grupit dhe se edhe ai do të vritej aty.

“Aq shumë ka pasur shkrepje të plumbave herë pas here, diku 5 deri në 6 herë ka ndodhur. 5-6 herë nga 10 plumba, sigurisht 50-60 plumba janë. Unë kam qenë duke ecur dhe e kam parë një person. Pasi e kam parë personin kam dëgjuar edhe plumbin e parë. Nuk e kemi ditur se çfarë po ndodhë, kemi dëgjuar disa herë të shtëna. Me pas qëllu në drejtim tonin na kish vra. Kur ka filluar gjuajtja tjetër, vetëm kam prit që disa janë të vramë”, ka shtuar ai.

Ai është shprehur se njëherë për njëherë nuk do ta vizitojnë veriun e Mitrovicës.

“Në atë zonë njëherë për njëherë nuk do të shkojmë, por duhet t’i shohim rrethanat. Në atë pjesë ishte bukur, ne shkojmë për ta provuar atë dhe qëllimi ynë është që të sjellim turistë vendorë dhe ndërkombëtarë. Nëse Zubin Potoku na kish pritur mirë, ne e kishim promovuar atë vend”, ka shtuar ai.