Zbulo të panjohurën

Ministri Sveçla: Prokurorja dhe gjyqtari në aksionin kundër kontrabandës janë të etnisë serbe

Ministri i punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka konfirmuar se prokurorja e rastit dhe gjykatësi i procedurës paraprake janë të nacionalitetit serbë. Kjo deklaratë e Sveçlës erdhi pas aksionit të Policisë së Kosovës në katër rajone të Kosovës, në luftën kundër kontrabandës dhe evazionit fiskal.

Ai tha që edhe shumica e pjesëtareve të njësisë së reagimit të shpejtë në Mitrovicë janë të etnisë serbe, teksa shtoi se shumica e të arrestuarve dhe të personave që janë shpallur në kërkim janë të etnisë shqiptare.

“Më lejoni të ju informojë se prokurorja e rastit është serbe, gjykatësi i procedurës paraprake është serbë, pjesëtarët e njësisë së reagimit të shpejtë në Mitrovicën e Veriut , shumica e tyre janë serbë, shumica e të arrestuarve janë shqiptarë, shumica e të kërkuarve janë shqiptarë, kështu që nuk bëhet fjalë për ndonjë represion shtetëror ndaj askujt”, ka thënë Sveçla.

Më tutje, ai foli edhe për vendosjen e barrikadave në rrugën për Zubin Potok dhe për atë nacionale në Leposaviq.

“Ne në vazhdimësi po bëjmë vlerësimin e  situatës. PK-ja në bashkëpunim me institucionet e tjera të Kosovës ka pasur informacione fillestare për një barrikadë për rrugën në Zubin Potok. Ajo barrikadë nuk është më. Ka pasur informacion për barrkadim të rrugës nacionale për Leposaviq. Ende nuk kemi informata të konfirmuara për gjendjen momentale atje. Në vazhdimësi do të bëjmë vlerësimet e duhura dhe në momentin e duhur ne do të marrim hapat e caktuar”, tha më tutje ai.