Zbulo të panjohurën

Mjekët nga Kosova arrijnë në Kukës, pritet të vaksinohen rreth 250 prej tyre

Kanë mbërritur në Kukës tre autobusët nga Kosova me punëtorë e parë shëndetësorë të cilët do të vaksinohen.

Në pallatin e Kulturës në Kukës, ka filluar regjistrimi i vaksinimit të 250 mjekëve kosovarë. Ndërkohë, që në orën 12:00 pritet të vizitojë qendrën e vaksinimit, kryeministri shqiptar, Edi Rama.

Federata Sindikale e Shëndetësisë së Kosovës ka njoftuar se sot do të vaksinohen rreth 250 punëtorët e parë ndërsa në ditët në vijim do të vazhdohet edhe me 250 të tjerë.

Këto vaksina janë donacion nga Shqipëria.

Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm në Evropë që nuk ka nisur procesin e vaksinimit.

Ky shtet pritet të përfitojë vaksinat e para nga COVAX – skema e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për shpërndarje të vaksinave në vendet e varfra.

Në dërgesën përmes COVAX-it, Kosova do të përfitojë 100,800 doza të vaksinës së prodhuar nga kompania AstraZeneca.