Zbulo të panjohurën

Motra e Luan Berishës kërkon shkarkimin e ministrit Sveçla


Laura Berisha, motra e ish-zyrtarit të Doganës së Kosovës, Luan Berisha, ka kërkuar nga Kryeministri Albin Kurti që ta shkarkojë Ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla.

Kjo kërkesë vjen përmes rrjeteve sociale, pasi që Sveçla të hënën ka deklaruar para Kurtit se bëhet fjalë për vetëvrasje.

“Albin Kurti, ju duhet ta shkarkoni Xhelal Sveçlën pas asaj që e tha sot publikisht, po e ceku edhe një herë që ende nuk kemi asnjë raport zyrtar nga prokuroria, ndrysa Xhelali e tha”, ka shkruar ajo.

Përderisa rasti i vdekjes së ish-zyrtarit të Doganës së Kosovës, Luan Berisha, është akoma në fazën e hetimeve të Prokurorisë së Shtetit, ministri i brendshëm, Xhelal Sveçla e ka cilësuar vdekjen e tij si ”vetëvrasje”.

Ai, u dëgjua sot duke thënë ”vetëvrasje”, në momentin kur motra e ish-zyrtarit, Laura Berisha, i ndërpreu rrugën kryeministrit Kurti dhe vartësve të tij, duke kërkuar nga ata informacione, për siç e quajti ajo, vrasjen e vëllait.

Sot, Paparaci ka kontaktuar Prokurorinë Themelore në Prishtinë, me ç’rast është njoftuar se Departamenti i Krimeve të Rënda është duke e trajtuar këtë rast.

”Prokurori i çështjes në koordinim me Policinë e Kosovës janë duke i zhvilluar hetimet, andaj për shkak të procesit hetimor, nuk mund të japim informata të tjera në këtë fazë”, kanë theksuar nga Prokuroria.