Zbulo të panjohurën

Nasim Haradinaj pagoi 500 euro per telefonatat qe i beri nga Haga

Anipse kushtet në objektin e paraburgimit në Hagë janë të mira, disa nga shpenzimet po i paguajnë të paraburgosurit. Aktualisht në qendrën e paraburgimit janë shtatë ish-udhëheqës të Ushtrise Çlirimtare të Kosovës. Disa prej tyre madje kanë paguar deri në 500 euro për të telefonuar.

Nga familja e Nasim Haradinajt për Gazetën Express thonë se deri tani Haradinaj i ka hargjuar deri në 500 euro në telefonata. Sipas tyre, thirrjet në Kosovë janë shumë të shtrenjta.

Dhomat e Specializuara thonë se të paraburgosurit bëjnë thirrje telefonike dalëse me shpenzimet e tyre.

Gazeta Express ka kontaktuar edhe me Dhomat e Specializuara për të pyetur rreth shpenzimeve të të paraburgosurve. Në përgjigjen e tyre thuhet se ata mund të bëjnë thirrje telefonike dalëse me shpenzimet e tyre, por në rast se të paraburgosurit nuk kanë mjete financiare, shpenzimet e tyre pjesërisht apo tërësisht nga Dhomat e Specializuar, në varësi se si e cakton sekretari.

Pasi vizitat janë të ndaluara përkohësisht, shpenzimet në raste të caktuara të mbulohen nga Dhomat e Specializuara.

Pasi vizitat e të paraburgosurve janë të ndaluara përkohësisht për shkak të mbrojtjes së shëndetit nga COVID-19, sekretari ka aprovuar përjashtimisht që shpenzimet e thirrjeve telefonike do të mbulohen nga Dhomat e Specializuara. Kjo do të thotë që një të paraburgosuri i sigurohet një sasi e arsyeshme e thirrjeve telefonike mujore.

Vizitat mund të bëhen edhe me anë të videove

Në vend të vizitave personale, regjistruesi ka aprovuar vizitat në video në përputhje me udhëzimet e regjistrit për video-vizitat. Këto lidhje me video u sigurohen të paraburgosurve falas.

Nëse të paraburgosurit dëshirojnë të përgatisin vetë ushqime, atëherë shpenzimet duhet të mbulohen nga vetë të paraburgosurit.

Në përgjigjen e Dhomave të Specializuara thonë se të paraburgosurit kanë tre vaktetë ushqimit  në ditë. […] Në rast se të paraburgosurit dëshirojnë të përgatisin vaktet vetë, ata mund të përdorin pajisjet e gatimit dhe mund të blejnë, me shpenzimet e tyre, përbërës të disponueshëm nga dyqani i Burgut.

Pesë të akuzuarit e parë të Speciales janë ish-udhëheqës politikë e ushtarakë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa, ishte i pari që u arrestua dhe transferua në paraburgimin e Gjykatës Speciale më 24 shtator, ku akuzohet për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit.

Dy ditë më vonë u arrestuan edhe dy ish-krerët e OVL-së së UÇK-së, kryetari Hysni Gucati dhe nënkryetari i kësaj organizate, Nasim Haradinaj. Ndonëse ende s’ka aktakuzë për ta, ata akuzohen për pengim në administrimin e drejtësisë, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Të fundit që u arrestuan dhe u dërguan në Hagë janë katër ish-udhëheqësit politikë e ushtarakë të UÇK-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kreyparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Rexhep Selimi.

Arrestimet erdhën pasi një gjyqtar i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale, kishte konfirmuar aktakuzat ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Aktakuza i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999. Prokuroria e Specializuar i akuzon ata se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve