Zbulo të panjohurën

Nga Specialja tregojnë se a ishin zgjedhjet arsyeja e shtyrjes së seancës ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Seanca e tretë në lidhje mbi ecurinë e çështjes ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë që ishte paraparë të mbahej sot nga ora 11:00 është shtyrë për të martën (16 shkurt) në të njëjtën kohë, sipas kalendarit ne faqen zyrtare te Gjykates Speciale.

Shtyrja e kësaj seance e cila ishte në prag të zgjedhjeve të së dielës, në Kosovë u komentua në mënyra të ndryshme, ndërsa pati të tillë që shtyrjen e seancës e panë si diçka aspak të rastësishme, duke e ndërlidhur pikërisht me zgjedhjet e 14 shkurtit, shkruan Zeri.info.

Adil Behramaj, ish-këshilltari i ish-presidentit Hashim Thaçi ka thënë se me shtyrjen e kësaj seance, Specialja bëri kalkulime politike, duke e ndërlidhur me datën e zgjedhjeve

“Me shtyrjen e paraqitjes së tyre para Gjyqtarit të Procedurës, sepse jemi në prag të ditës së zgjedhjeve, Gjykata Speciale bëri kalkulim politik. Po i frikësohen paraqitjes së Hashim Thaçit e Kadri Veselit edhe në Dhomat Speciale në Hagë. Po druhen që prezenca mediale njëditore e tyre ndikon te votuesit dhe ua prishë atyre skenarin politik, që po mundohen ta jetësojnë në emër të drejtësisë”, ka shkruar në reagimin e tij Behrami, i cili shtoi se “Kjo është dëshmi tjetër që largimi i tyre nga skena politike në emër të drejtësisë ishte dhe mbetet tërësisht i sinkronizuar”.

Në anën tjetër, nga Gjykata Speciale në një përgjigje për “Zërin” e kanë mohuar se shtyrja e seancës për Thaçin dhe të tjerëve ka lidhje me zgjedhjet.

“Si institucion gjyqësor, Dhomat e Specializuara të Kosovës janë tërësisht të përqendruara në kryerjen e procedurave gjyqësore të drejta, të paanshme dhe të pavarura, pavarësisht zhvillimeve politike”, ka thënë për “Zeri.info”, Angela Griep nga Dhomat e Specializuara.

Griep ka dhënë edhe një arsye se pse është shtyrë kjo seancë.

“Gjykatësi i procedurës paraprake vendosi ta shtyjë seancën për arsye organizative, pas konsultimit me palët”, ka thënë ajo.

Kujtojmë se aktakuza kundër Hashim Thaçit u konfirmua më 26 tetor 2020. Ai u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 5 nëntor dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë në të njëjtën ditë.