Zbulo të panjohurën

“O nxirre alltinë e gjuj, vrajum breh…”, rrëfimi i mërgimtarit që u rrah deri në gjymtim nga Policia në Prizren

R.B., një mërgimtar nga Rajoni i Prizrenit, edhe një periudhe pushimesh, nga Gjermania në Kosovë, thotë se e ka kaluar duke kërkuar drejtësi për rrahjen deri në gjymtim që sipas tij se e përjetoi brenda stacionit policor në Lubizhdë të Prizrenit. Ngjarja kishte ndodhur tre vite më parë, në ditët e para të vitit 2018. Lexojeni rrëfimin e tij për Gazetën Online ‘Reporteri.net’ dhe versionin e autoriteteve të sigurisë për këtë rast.


R. B., ndodhej në Kosovë, kur tre nipat e tij më 4 janar 2018, ishin përfshirë në një përleshje fizike, në Prizren, e cila kishte pasuar me therjen me thikë të një personi tjetër. E gjitha, shkaku i një konflikti të nisur më parë, si pasojë e një prishje fejese.

Nipat e mërgimtarit nga Gjermania fillimisht kishin ikur nga vendi i ngjarjes. Deri sa po atë natë, R.B., bashkë me të vëllain e tij, para mesnatës, thotë se kishin shkuar në stacionin policor në Lubizhdë të Prizrenit për t’i dorëzuar ata.

49 vjeçari në një rrëfim për Gazetën Online ‘Reporteri.net’ thotë se derisa po priste jashtë stacionit policor, u përballë me një situatë jo të zakonshme, që çoi në sherr me dy pjesëtarë të Policisë, e për pasojë mërgimtari nga Gjermania pretendon se përfundoi i rrahur deri në gjymtin nga ana e disa pjesëtareve të Policisë së Kosovës.

Sipas tij, deri sa po priste anash në anën tjetër të rrugës përballë Policisë, në Lubizhdë të Prizrenit, atij i është afruar një person me rroba civile, që tek pasi kishte nisur të rrehej e kishte kuptuar se ishte pjesëtarë i policisë.

“Tha tash unë ju tregoj, edhe na ju përgjigjem “o jaran kush je, o jaran kush je”. Edhe u mundu me ma ngjitë mu durve e ia kom largu durt edhe ka dalë ai polici që ka qenë te porta edhe ka thonë o polic është, ju lutem mos boni kurrgjë se polic është se ai e pa që u soll keq e ai na kërkoi neve që mos me bo kurrgjë, e na s’bonëm kurrgjë, u nalëm se kishe polic. Ai ishte polici Sadat Ramadani”, rrëfen R.B..

“Në ato momente t’u diskutu ka ardhë një kerr i policisë prej anës së Prizrenit, pa drita. Ka hi në kthesë aty në hyrje edhe na u ka nalë para kambve. Ai ish kanë polici Sami Thaçi. Kur doli nga kerri, më tha ti je i arrestim. Thashë për çka more, e reagoi edhe një vëlla i jemi tha për çka more? Çka t’bonëm, kur na të bonëm diçka? Edhe kur e pamë situatën qysh është, vëllai më tha lidhi tha durtë, masi kokan policë tha s’kanë çka me të bo. Edhe pranova me m’i lidhë durtë”, rrëfen ai.

Aty, sipas tij, dy policët e apostrofuar, filluan ta godasin pas shpine.

“I thashë lidhmni durtë se nuk ka nevojë me më mëshu se unë po ua qes durtë me m’i lidhë, ti po ma mëshon. Edhe m’kanë shty edhe më kanë shti në oborr të Policisë prej rrugës, qata të dy, Sadat Ramadeni dhe Sami Thaçi, edhe po ua boj atyne policëve tjerë me tesha, thashë o polic këta s’kokan t’u u sjellë mirë, s’kokan policë bon vaki”, thotë ai.

Rrëfen se goditjet që morri jashtë në rrugë, nuk ishin asgjë krahasuar me ato që thotë se i morri kur u fut me forcë brenda stacionit policor.

Tmerri që përjetoi, për të, tregon se nisi, kur po dërgohej me forcë brenda në stacion. Thotë se gjatë rrugës, dy pjesëtarët e policisë që po e mbanin të shtrënguar me forcë e goditen atë me kokë për një pengesë të fortë brenda objektit.

“S’di qysh nuk m’kanë lëshu kambtë”, rrëfen ai, derisa i kujton si duke i përjetuar edhe sot dhimbjet e momentit që sipas tij nuk kishte më forcë as të qëndronte në këmbë.

“E si te kanë çelë derën, të m’kanë hi korridorit”, vazhdon mërgimtari rrëfimi i tij për maltretimin që ju bë brenda stacionit policor në Prizren, që nisi para pak mesnatës së 4 janarit 2018, e sipas tij vazhdoi deri në orët e para të mëngjesit të ditës tjetër.

“Edhe më kanë hi korridorit me më rrehë e tani më kanë shti në një dhomë të hetimeve, të tyne. Boksa me durë lidhë prej tona anëve, sa që kanë mujtë deri sa më kanë lëshu dikur edhe kambtë. Më kanë hi për toke shkelma sa që kanë mujtë, herë anej herë knej. Bile dilshin prej derës e marrshin turr edhe drejt qysh isha mbshtetë për muri, bam. Kahmos. Tani për s’rati”.

“Tani ia nisën, kon e ki rrehë ti, kon e ki mytë ti? Na kena me ta nxjerrë shpirtin, na kena me të mytë. Na kena me të vra. Qështu qe”, rrëfen 49 vjeçar, derisa ndalet disa herë kur flet, pasi i përjeton ende rëndë kujtimet e orëve tw para tw 5 janarit 2018.
“Jonë konë dikun rreth 10 policë në qatë dhomë po nuk mujsha me i pa kush janë, përveç se e disha që Sadat Ramadani e Sami Thaçi janë kanë dy prej tyre. Ata tjertë këqyrshin sikur n’film. A ke pa sikur në ring që e qet dikon, e me konë 1 bokser hallall, por 2 boksera që e rrehin”.

“Ata sjellin pa dhimtë”, thotë ai ndërkohë që prekte duart dhe këmbët e tij, për të shpjeguar gjymtimet në këto pjesë që sipas tij i janë shkaktuar nga kjo rrahje.
“Qysh isha ratë përtoke, po masi ma nalën t’rrehmen, Sami Thaçi më tha unë tha kom me të vra, kom me ta nxjerrë shpirtin”, rrëfen ai.

Shton se përkundër dhimbjeve të rrahjes që po ndjente, arrtit t’i përgjigjej me guxim: “Ooo thashë gjuj, gjuj i thashë, veç në pastë drejtësi dikun, ki me më njoftë se kush jom”.

“Më bike në dy gjujtë se unë isha i shtrimë përtokë, ai tjetri më mëshojke anej edhe ma bojke që kom me të vra edhe e nxerrte alltinë”.

“Ai tjetri, Sadat Ramadani, prej naltit ma bojke unë qështu të vrajw. Të dytë. Sami Thaçi në dy gjujt përtoke ma bojke unë 40 vjet burg kom me ti dhanë, thojke edhe unë kom me të mytë”.

“Në pastë drejtësi në këtë Kosovë, ki me me njoftë se kush jom i thashë”, thotë t’ia ketë përsëritur mërgimtari dy herë policit Thaçi, tashmë të ndjerë, që mbeti i vrarë para një viti në një aksion policor në Prizren.

Por, drejtësinë tash e tre vite, ky mërgimtar nuk po e gjen. Përkundrazi, thotë se i ka dalë telashe me të, pasi sipas tij policët që e rrahën kanë ndikim të madh dhe kanë manipuluar me provat.

R.B., shtatë muaj pas ngjarjes, në korrik të 2018-es, u akuzua nga Prokuroria Themelore e Prizrenit se sulmoi pjesëtarët e policisë.

Përkundër se ai e dëshmon me një grumbull dokumentesh mjekësorë nga Gjermania, se prej pas rrahjes në stacionin e Policisë në Lubizhdë të Prizrenit, ka mbetur i gjymtuar shkaku i dëmtimeve në pjesën kurrizore, që përveç dhimbjeve herë-herë i shkaktojnë edhe shtypje të lartë të gjakut, në aktakuzën e Prokurorisë së Shtetit thuhet se i akuzuari ka marrë lëndime të lehta si pasojë e rrahjes.

E raporti që i referohet Prokuroria në aktakuzë, është bërë hiq më pak se 12 ditë pas rrahjes, më 12 janar 2018.

Prej janarit të atij viti, e deri më sot, R.B. tregon se ka bërë dhjetëra shkresa e ankesa në institucionet kosovare, që thotë se nuk ia janë marrë parasysh.

Çdo periudhe pushimesh, rrëfen se vjen nga Gjermania, për të luftuar për të drejtën e tij. E fundit derë për të, thotë se i ka mbetur institucioni i Avokatit të Popullit, të cilëve iu është drejtuar me shkresë këtë fillim vit.

Kjo pasi thotë se Prokuroria e Shtetit e Inspektorati Policor i Kosovës kanë mbyllur rastin e tij për rrahje nga ana e pjesëtarëve të Policisë.

Vetë IPK-ja ka konfirmuar për Gazetën Online ‘Reporteri.net’ se e ka trajtuar këtë rast, dhe pasi janë evidentuar e shqyrtuar provat, lenden ia kanë dorëzuar në kompetencë të tyre Prokurorisë Themelore në Prizren.

“Duke ju referuar rastit/ankesës nga qytetari në fjalë, Inspektorati Policor i Kosovës i ka shqyrtuar të gjitha shkresat dhe dokumentacionet që pala ankuese, ka ofruar. Si pjesë e procedurës hetimore IPK ka siguruar video incizimet nga kamerat e sigurisë të cilat e kanë mbuluar vendin ku supozohet se ka ndodhur rasti. Pasi janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në koordinim me Prokurorinë Themelore Prizren, të gjitha shkresat, provat, dëshmitë dhe video incizimet IPK, i ka dorëzuar në Prokurorinë Themelore në Prizren në kompetencë të tyre”, thuhet në përgjigjen e IPK’së.

Nga ana tjetër, Prokuroria Themelore e Prizrenit, përkundër se disa herë gjatë javëve të fundit u janë ripërsëritur me e-mail pyetjet e Gazetës Online ‘Reporteri.net’, që kërkojnë sqarime për këtë rast, nuk janë përgjigjur asnjëherë në to.

E njëjta Prokurori, me vendim të prokurorit të shtetit, Shahadin Destani, më 17 korrik 2019 kishte mbyllur si rast, lenden e R.B.., “ky dyshohet se zyrtarët policorë të Stacionit Policor në Prizren-Veri, Sadat Ramadani dhe Sami Thaçi, kanë ushtruar forcë të tepruar”.

Prokurori, në arsyetimin e tij, tregon se ka marrë të besuara deklaratat e pjesëtarëve tjerë të policisë që kanë qenë të pranishëm në stacionin ku ndodhi rasti, derisa ka hedhur poshtë deklaratën e R.B. dhe të vëllait të tij.

Në dokumentin për mbylljen e hetimit, Prokurori thotë se raportet mjekësore të kryera në Gjermani janë të bëra 6 muaj pas rastit dhe sipas tij nuk mund të jenë prova bindëse për Prokurorinë.

Gazeta Online ‘Reporteri.net’ ka kërkuar nga Policia në Prizren versionin e policit S.R., i apostrofuar nga R.B., por në përgjigjen e Policisë përmes zëdhënësit të tyre kërkohet që t’i drejtohemi Inspektoratit Policor “pasi kjo lëndë është trajtuar në IPK dhe Drejtoria e Standardeve Profesionale”.

I dëshpëruar me drejtësinë në Kosovë, mërgimtari nga Gjermania, e vazhdon rrëfimin e tij për pasmesnatën e tmerrshme që përjetoj në stacionin policor në Prizren, janarin e vitit 2018 kur ndodhej në Kosovë për pushime.

Rrëfen se përkundër se gjatë rrahjes nga Policia ishte në gjendje të rëndë, atij iu ofrua ndihmë mjekësore tek dikur rreth 5 orë pas, kur sipas tij nisi të humb vetëdijen.

E kujton se si u kishte kërkuar disa herë ujë policëve të pranishëm, e thotë se asnjeri prej tyre nuk ia ofruan.

“Nuk e di qysh nuk kom kupë. Prej atëherë, tash kohë pas kohe, e kom tensionin e naltë se unë kesh t’u kupë. Buztë m’u bonën shkrumb se një gotë ujë nuk ma bishin”.

“Zgjidhmi bre durtë, nuk i njisha as durtë. O jaran a nuk m’pe qysh më mëshojshin ata? Tha po”, rrëfen ai bisedën e shkurtë me një nga policët e pranishëm në sallë ku i ndodhi ngjarja.

“I thashë një polici tjetër, Ylber Haziraj e ka emrin, ti je dëshmitar i jemi qysh më kanë rrehë Policia, tha unë nuk bohna dëshmitar për ty. Unë tha i shti 100 shqiptarë në burg për një polic. Babën tem tha e shti në burg për një polic”, rrëfen R.B..

Rreth orëve të para të mëngjesit, pas disa orësh rrahje e maltretim, tregon se u dërgua në spitalin në Prizren. Aty, sipas tij, nuk u mbajt gjatë, dhe u transferua menjëherë në qendrën e mbajtës së policisë në stacionin në Suharekë. Nga aty, pas disa orësh tregon se sërish përfundoi në spital, por kësaj herë në emergjencën e Suharekës.

“Unë s’mujsha me nejtë aty mrena [paraburgim në Suharekë], e panë që s’jom mirë edhe më kanë çu në emergjencë në Suhaerekë apet, se në Prizren më kanë këqyrë veç me sy që kishe kurrgjë, e nfund e kanë shkru që kishe unë po e refuzoj ndihmën mjekësore. A unë lypsha ndihmë mjekësore”.

“Ata e dinë qysh më kanë rrehë, e din edhe shteti, Prokuroria, IPK, Qerim Bytyqi, por po e mshefin”, pretendon ai.

“Sami Thaçi edhe Sedat Ramadani m’kanë kërcënu me vdekje, me ekzekutim”, thotë ai.