Zbulo të panjohurën

Paralajmërohet rritje e rasteve të reja me COVID-19 në Kosovë

Institucionet përgjegjëse për menaxhimin e pandemisë së koronavirusit në Kosovë rekomandojnë që të vazhdohet me respektimin rigoroz të masave kundër sëmundjes COVID-19 dhe me kufizimin e lëvizjes, pasi, sipas parashikimeve, do të ketë rritje të numrit të rasteve të reja gjatë kësaj jave.

Gjatë mbledhjes së Komitetit për koordinim dhe vlerësim të situatës me COVID-19, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, tha se gjendja e pandemisë është nën kontroll dhe se “nuk ka tendenca për alarm”.

Ai tha se në dy javët e fundit ka pasur rënie simbolike të rasteve të reja, por shtoi se gjatë kësaj jave “ka shenja iniciale të rritjes së rasteve pozitive”.

Zemaj tha se, sipas projeksioneve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK), numri i të sëmurëve do të variojë prej 312 deri në 321 raste – mesatarja 317 raste në 100 banorë – që, sipas tij, do të paraqiste rritje prej 6.9 për qind, kurse numri i vdekjeve, shtoi Zemaj, prej 4 deri në 5 vdekje brenda ditës, me mesatare 4 raste të vdekjes – me ulje prej 19.2%.

Drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, tha se janë bërë të gjitha përgatitjet për fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit dhe se pritet që kontingjenti i parë i vaksinave që do të arrijë në Kosovë, të jetë prej prodhuesve AstraZeneca dhe Universiteti i Oksfordit.

Ramadani nuk tregoi se kur do të arrijë ky kontingjent me vaksina, por, më herët, zyrtarët kanë thënë se ato pritet të arrijnë në fund të shkurtit apo fillim të marsit.

Kosova pritet të marrë në total 100,800 doza të vaksinës përmes programit COVAX, që ka për synim shpërndarjen e vaksinave kundër koronavirusit në vendet në zhvillim.

Kosova është e fundit në rajon, sa i përket nisjes së vaksinimit kundër sëmundjes COVID-19, pasi fushata të tilla tashmë kanë nisur në Shqipëri, Serbi, Maqedoni të Veriut dhe Mal të Zi.

Qeveria në detyrë e Kosovës ka thënë se ka siguruar 535,000 doza të vaksinës së kompanisë amerikane, Pfizer, por nga kjo kompani, në fund të javës së kaluar, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se ende janë në negociata me Prishtinën zyrtare, që kjo e fundit të ketë qasje në vaksinë.