Zbulo të panjohurën

Pas 2 muajsh gjendet i vdekur 56 vjeçari nga Vushtrria, i shtrirë në mal


Kur po bëhen gati dy muaj nga kur është shpallur i zhdukur, është gjetur i vdekur 56 vjeçari Driton Strana.

Strana u gjet nga Policia e Kosovës gjatë ditës së sotme, pas informacioneve nga një qytetar, shkruan “Jepi zë”.

Për “Jepi zë”, rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë, Avni Zahiti.

“Në orët e pasdites së sotme Policia në Vushtrri ka pranuar informacion nga ana e një qytetari mashkull kosovar i cili ka informuar se në një zonë malore në fshatin Skoqne të Vushtrrisë, kishte hasur në një person të shtrirë. Njësitë relevante dhe ekipi mjekësor kanë dalë në vendin e ngjarjes ku është konstatuar vdekja e viktimës dhe është identifikuar nga familjarët trupi i pajetë”, ka thënë Zahiti.

Duhet theksuar se viktima 56 vjeçare, Driton Strana, që nga data 09.02.2021 ishte i raportuar si person i zhdukur në Stacionin Policor në Vushtrri.

Sidoqoftë, ende nuk dihet si u gjet dhe nga çfarë shkaqesh ka vdekur. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.