Zbulo të panjohurën

Pas paraqitjes së variantit të ri të COVID-19 në Kosovë, IKSHPK del me një apel

Duke pasur parasysh shfaqjen e rasteve të reja me variantin e ri dhe vlerësimin e situatës aktuale me COVID -19, IKSHPK përsërit thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.

Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, në një konferencë për media, ka bërë të ditur se varianti i ri i COVID-19 është paraqitur edhe në Kosovë.

Zemaj tha se nga mostrat e dërguara në Berlin, tri prej tyre janë pozitivë me variantin e ri të Covid-19.

Pas paraqitjeve të rasteve me variantin e ri, IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët, institucionet dhe organizatat publike dhe private, për respektimin dhe ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19.

Në veçanti, bëjnë thirrje për zbatimin e rekomandimeve dhe respektimin e masave kufizuese për aktivitetet publike, përkatësisht kufizimeve për grumbullimin e qytetarëve dhe tubimeve publike.

“Grumbullimi i qytetarëve pa maska dhe mbajtje të distancës shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent në mesin tonë.

Apelojmë tek institucionet përgjegjëse, përkatësisht Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse që të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave dhe vendimeve të tjera në fuqi në zbatim të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës.

Qytetarë të nderuar, Ju lutemi për kujdes të shtuar!

Që të shmangni shkaqet dhe pasojat e infeksionit:

Respektoni masat kufizuese për grumbullimet dhe tubimet publike!

Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!

Mbani higjienën!

Respektoni distancën!

Mbani në mend:

FYTYRA E MBULUAR ME MASKË! DUART E PASTRA! DISTANCA DHE HAPËSIRA E BOLLSHME!”, thuhet në apelin e IKSHPK-së.