Zbulo të panjohurën

Pasuria e Vjosa Osmanit: Shtëpi në “Marigonë”, banesa, tokë e mbi 20 mijë euro në bankë

Vjosa Osmani Sadriu ia doli mbrëmë të bëhej presidente e Kosovës. Por, cila është pasuria e familjes së saj?


Osmani kishte bërë bujë për një shtëpi në një lagje pasanikësh, duke qenë se i përkiste një liste politike që kishte përfaqësuar më së shumti njerëzit e  varfër.

Por, cila është pasuria që ka deklaruar Vjosa Osmani në Agjencinë Kundër Korrupsionit?

Në seksionin e “Pasurisë së Paluajtshme”, znj. Osmani Sadriu ka deklaruar tetë lloje të pasurisë së paluajtshme me vlerën e përgjithshme 552 mijë e 500 euro.

Ajo ka deklaruar dy banesa, njëra prej të cilave është e papërfunduar, dhe njëra prej të cilave është e bashkëshortit të saj.

Po ashtu, ajo ka deklaruar edhe dy shtëpi, prej të cilave të dyja ka shkruar se i përkasin bashkëshortit të saj. Vlera e këtyre dy shtëpive të blera me “kursime dhe kredi” është 300 mijë euro.

Janë deklaruar po ashtu edhe dy garazhe, njëra prej të cilave i përket bashkëshortit dhe tjetra vetë znj. Osmani Sadriu.

Më tej, janë paraqitur edhe 10 ari tokë, po ashtu njëra prej të cilave i përket znj. Osmani Sadriu dhe tjetra bashkëshortit të saj.

Në seksionin e pasurisë së luajtshme, ajo ka deklaruar vetëm një veturë të bashkëshortit me vlerë 7 mijë euro.

Ajo del se është aksionare edhe në kompaninë “First Legal Solutions, ku ka 20 për qind të aksioneve.

Si para të gatshme, Osmani Sadriu ka rreth 12 mijë e 400 euro, ndërsa burri i saj ka rreth 10 mijë.

Sa i përket seksionit të detyrimeve financiare, ajo ka deklaruar një borxh prej 115 mijë e 300 eurove në Lagjen Marigona Hill. Por, edhe 10 mijë euro borxh për një parcelë tokë në Lagjen e Gjelbër.