Zbulo të panjohurën

PDK heq nga lista kandidatin që nuk e ka kaluar verifikimin

Partia Demokratike e Kosovës, ka njoftuar se ka larguar nga lista kandidatin për deputet që nuk ka plotësuar kushtet e parapara, sipas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese të publikuar në dhjetor të vitit 2020.

PDK përmes një komunikate për media thotë se ka ndjekur gjithmonë praktikën e moskandidimit të personave të dënuar apo të akuzuar për vepra të ndryshme penale, transmeton Telegrafi.

“Kjo praktikë do të vazhdojë edhe në këto zgjedhje, pavarësisht lëshimit që është bërë në listën e dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit. Partia Demokratike e Kosovës do ta respektojë vendimin e KGJK-së, duke larguar nga lista kandidatin që nuk i plotëson kushtet e parapara, sipas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese të publikuar në dhjetor të vitit 2020”, thuhet në njoftimin e PDK-së.

PDK tutje thotë se “Respektimi i plotë i normave që përcakton Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe aktet e tjera ligjore për zgjedhje të lira, fer dhe demokratike, janë kritere të domosdoshme për ta garantuar integritetin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në Kosovë”.

“Partia Demokratike e Kosovës respekton çdo vendim të institucioneve përgjegjëse dhe fton të gjitha subjektet politike në Kosovë, që të bëjnë fushatë të dinjitetshme, duke e respektuar procesin zgjedhor”.

PDK kandidat për kryeministër në këto zgjedhje ka kryetarin në detyrë, Enver Hoxhaj.