Zbulo të panjohurën

Peci: Meliza Haradinaj ia pamundësoi pjesëmarrjen Vjosa Osmanit në ceremoninë e njohjes nga Izraeli

Në një reagim në Facebook, Faton Peci, shef i kabinetit të u.d. Presidentes, Vjosa Osmani, ka akuzuar Ministrinë e Punëve të Jashtme për dëmtim të shtetit të Kosovës. Ai ka thënë se MPJ nuk ka lejuar adresimin e Osmanit në ceremoninë e nënshkrimit të njohës reciproke Kosovë-Izrael.

Peci ka thënë se Osmani ka qenë e gatshme të jetë prezentë në këtë ceremoni.

“U.d. Presidentja Osmani ka shprehur gatishmërinë të jetë prezente në këtë ceremoni, por pjesëmarrja i është pamundësuar nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme, e cila e ka shkelur Protokollin shtetëror, duke i pamundësuar Presidentes të ketë adresim dhe po ashtu duke i pamundësuar rolin në ceremoni që i takon sipas praktikave dhe protokollit”, thuhet në reagim.

Tutje Peci ka shkruar se një qasje e tillë e MPJ dëmton kredibilitetin e saj dhe të vet shtetit të Kosovës.

“Është për keqardhje që MPJD ka instrumentalizuar protokollin e shtetit për të shtyrë përpara agjenda partiake në prag të fushatës zgjedhore” thuhet në reagimin e Pecit.

Kujtojmë që u.d. Presidentja ka përshëndetur lidhjen e marrëdhënieve diplomatike të Kosovës me shtetin e Izraelit.

Osmani ka zhvilluar këtë të martë një bisedë telefonike me kryetarin e Knessetit.