Zbulo të panjohurën

Për dy javë u infektuan 40 punëtorë shëndetësorë në Prishtinë

Prishtina është në zonën e kuqe të infektimit dhe kjo fundjavë e gjeti me masa më rigoroze duke rikthyer karantinën në kryeqytet dhe 6 qytete tjera të vendit. Mirëpo, ajo çfarë e alarmon pushtetin lokal është edhe numri i lartë i infektimeve në radhët e personelit shëndetësor.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, deklaroi se për dy javë janë infektuar rreth 40 punëtorë shëndetësorë. Me këtë ritëm, sipas tij, do të ketë probleme në trajtimin e pacientëve me koronavirus dhe në ofrimin e shërbimeve të tjera.

“Tani kemi arritur në shifrat rreth 40 punëtorë shëndetësorë që janë me COVID-19, derisa para dy jave nuk kishim asnjë punëtor shëndetësor dhe nëse vazhdojmë me këtë trend normalisht se do të kemi probleme me menaxhimin edhe rasteve me COVID por edhe shërbimeve të tjera të cilët qytetarët e komunës së Prishtinës kërkojnë nga institucionet e kujdesit parësor”, thotë ai për kp.

Prishtina vijon me shifra të frikshme të rasteve ditore e rrjedhimisht edhe kërkimin e ndihmës. Gashi thekson se kjo po vë në rrezik edhe ofrimin e shërbimeve esenciale në kujdesin parësor shëndetësor.

“Me rritjen e numrit të rasteve aktive në baza ditore dhe të menjëhershëm këtu është rreziku i ngecjes së ofrimit të shërbimeve esenciale në kujdesin parësor shëndetësor, edhe dytësor, edhe tretësor, normalisht se kjo shkon në formë zinxhirë se sa më i madh numri i rasteve aktive në kryeqytet dhe mbarë vendin aq më shumë janë rastet të cilat kërkojnë kujdes shëndetësor”, thotë Gashi.

Aktualisht, sfidë kryesore po konsiderohet diferencimi i personave me COVID dhe atyre me virozë sezonale, për shkak të ngjashmërisë së madhe të pasqyrës klinike.

Gashi deklaron se tashmë i kanë sytë nga Ministria e Shëndetësisë që të furnizohen me vaksinën për gripin sezonal që sipas tij është premtuar se do të shpërndahet për komuna nga mesi i këtij muaji.

Në 24 orët e fundit, Prishtina ka regjistruar 316 raste të reja me COVID-19 duke detyruar Qeverinë e Kosovës që të dalë me vendime të reja për të rikthyer karantinën në kryeqytet.