Zbulo të panjohurën

Përfundon takimi, për çka u dakorduan Vjosa Osmani e Avdullah Hoti

Ka përfunduar takimi ndërmjet ushtrueses së detyrës së Presidentit, Vjosa Osmanit dhe Kryeministrit të vendit, Avdullah Hoti, raporton Express

Pas takimit, Hoti deklaroi për media se me Osmanin janë dakorduar që të konsultohen në vazhdimësi në menaxhimin e situatës së krijuar në vend pas dorëheqjes së Presidentit Hashim Thaçi, për shkak të konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale.

“Diskutuam për zhvillimet e fundit, u dakorduam që vazhdimisht të konsultohemi në menaxhimin e ëkëj situate, për të çuar mesazhin e qartë, për të cilin jam shumë i interesuar, që pavarësisht zhvillimeve politike,, proceseve në të cilat kalon vendi si rezultat i dorëheqjes së Presidentit të vendit, ku forcat politike tash duhet të bëhen bashkë, për të gjetur zgjidhje, të japim mesazhin e maturisë së institucioneve të Kosovës për të iu dalë në ndihmë qytetarëve edhe me pandeminë edhe me problemet ekonomike që vinë prej saj”, ka deklaruar Hoti.

“Mbi të gjitha për të dhënë mesazhin e pjekurisë institucionale të shtetit të Kosovës, karshi komunikimit të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë”, ka thënë Hoti.

Takimi ndërmjet Osmanit dhe Hotit u mbajt në Presidencë, me dyer të mbyllura.

Pas konfirmimit të aktakuzës, Kosova ka mbetur pa president të vendit, pasi që Hashim Thaçi dha dorëheqje nga kjo pozitë.

Vjosa Osmani mund të qëndrojë si u.d. e presidentit për gjashtë muaj në rast se nuk arrihet të votohet një president i ri në seancë të Kuvendit.

Nëse as pas këtij afati nuk zgjidhet presidenti i ri i shtetit, Kosova mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.