Zbulo të panjohurën

Përplasen keq LDK e VV, Arben Gashi: Jeni paranojakë e të sëmurë psiqik

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, e kanë nisur me debate të ashpra seancën e sotme të Kuvendit ku pritet votimi i Buxhetit 2021. Përderisa VV e akuzon LDK-në se i hanë hyrë sharrë buxhetit, LDK i ka quajtur paranojak dhe të sëmurë psikik VV-në, shkruan Reporteri.net.


“Paranoja e sharrave, e thikave dhe shpatave vazhdon. Kjo paranojë, kjo sëmundje psikike po e dëmton këtë vend. Ju po tentoni ta terrorizonit këtë popull, ky popull nuk i nënshtrohet paranojës tuaj dhe thirrjeve dëshpëruese. Paranoja se ka një sharrë në buxhet, është paranojë e juaja dhe duhet të ju vije trup. Asnjëherë asnjë qeveri në detyrë nuk ka shpallur tendera. Kur i drejtoheni vendit dhe Kuvendit duhet të jeni të sinqertë. Nuk qeveriset Kosova me vota fejsbukiane, qeveriset me ruajte të interesit të shtetit”, i ka thënë Gashi, Liburn Aliut të VV-së.

Ai ka thënë se deputetët e VV vetëm klithin dhe shkaktojnë dëshpërim te qytetarët.
“E di që klithni dhe bërtisni, por klithma juaj është më e vogël sesa dëshira për ta mbërritur këtë vend. Ne do të jemi këtu për ta mbrojtur interesin e këtij vendi dhe nuk do t’i nënshtrohemi asnjë klithme, asnjë sharre, asnjë thike, asnjë shpate. Klithma juaj është klithmë dëshpërimi, sepse ky vend nuk do t’i nënshtrohet asnjë herë këtij mentaliteti bolshevik”, ka thënë Gashi.

Ai u ka bërë thirrje deputetëve që të votojnë buxhetin, për hir të institucioneve bazike të shtetit.

“Ju ftoj ta shohim interesin e vendit, që institucionet bazike të funksionojnë, që mësuesit, policët e ushtarët të kenë paga, që institucionet arsimore e shëndetësore të funksionojmë. Institucionet e vendit janë mbi paranojën e shpatës e thikës që ju e përfaqësoni këtu”, tha ai.

Ndërkohë Liburn Aliu i VV-së në fjalën e tij tha se kjo qeveri nuk ka legjitimitet ta dërgojë në Kuvend projektbuxhetin. Ai ka thënë se sigurisht i kanë përgatitur ‘sharrat” për buxhetin.

“Saher që thirret në këtë Kuvend për interes madhor nacional, nga përvoja menjëherë duhet me shiku anash ku po dhezet sharra, saher që e përmendni ju ne e kemi të drejtën të mendojnë që me këtë projektbuxhet e keni dhezë sharren, dhe këtë mos na e pshtillni me interes nacional”, ka thënë ai.

“Ju nuk keni të drejtë të sillni projektbuxhet sepse nuk keni legjitimitet. Ju deri tash keni ba zi e më zi, e po doni me ba edhe ma zi me këtë projekt buxhet. Ju ja keni ul buxhetin shëndetësisë, e arsimit dhe ja keni shtu infrastrukturës. Ne jemi në krizë, po vdesin njerëzit dhe ju na folni për interesin nacional. A po doni interes nacional, a po thoni se rrezikohen pagat e punonjësve ja e kemi propozimin që të ja shtyjmë edh epër dy muaj shtesë, në mënyrë që ky buxhet nuk kalon, Qeveria të ketë mundësi t’i paguajë punëtorët. Urdhëroni ta kalojmë këtu, pastaj flasim edhe për buxhet, tendera, edhe për projektet që janë bartë sipas interesave partiake. Po na flisni ju për interes nacional. Hajde po e marrim vendimin që të zgjatet buxheti edhe për dy muaj shtesë. Ju nuk keni legjitimitet të flisni për interes madhor”, tha Aliu