Zbulo të panjohurën

Plagosja në Lapnasellë, të dehur e sulmuan stafin e restorantit që s’pranoi t’i shërbente pas orës 22:00

Një përleshje me armë zjarri ka ndodhur mbrëmë në restorantin “Bella Vista” në Llapnasellë, si pasojë e së cilës tre persona kanë mbetur të plagosur, në mesin e tyre edhe pronari i lokalit B.R.

Një ditë më vonë, restoranti ku ndodhi incidenti vazhdonte punën njësoj, ndërsa përgjegjësi i tij refuzoi të tregonte se çka ndodhi aty një natë më parë.

Teksa më mirë e kuptonte sesa e fliste gjuhën shqipe, ai tha se nuk dëshiron të prononcohet për media duke kërkuar që informacionet të merren në polici.

Ndërsa, një kilent i restorantit tha se përgjegjësi i restorantit i ka kërkuar që të mos flasin për media, dhe të njëjtin nuk e ka pyetur se çka saktësisht ka ndodhur mbrëmë aty.

Prokuroria Themelore e Prishtinës e ka cilësuar rastin si “Vrasje e rëndë në tentativë”, ndërsa incidenti dyshohet se nisi kur stafi i restorantit kishte refuzuar t’i shërbente klientët, pasi shënonte ora 22:00, kohë pas së cilës ndalohet veprimtaria e gastronomisë sipas rregullave anti-covid.

Personat e dyshuar që hapën zjarr, dyshohet se ishin nën ndikimin e alkooloit, ka njoftuar policia.

“Nga hetimi preliminar janë nxjerrë në pah dyshimet se të dyshuarit për të cilët dyshohet të ishin nën ndikim të alkoolit përderisa ishin si klient brenda restorantit në fjalë, për shkak të refuzimit të shërbimit nga ana e personelit të restorantit kanë eskaluar me veprimet e tyre, dhe për pasojë njëri nga ta nga jashtë restorantit ka shtënë me armë zjarri”, njofton policia, transmeton Express.

Pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore, dy nga të lënduarit janë liruar për në shtëpi, ndërsa njëri është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK.

Dy nga të dyshuarit e arrestuar janë, Xh. B, mashkull 57 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, si dhe  A. L, mashkull 54 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës. Teksa dy të tjerë ndodhen në arrati.

Të arrestuarit janë ndaluar me urdhër të prokurorit, në kohëzgjatje prej 48 orëve.

Ndërsa, lidhur me rastin është deklaruar edhe Prokuroria Themelore e Prishtinës, në një përgjigje për Gazetën Express thonë se po punohet për sqarimin e plotë të rrethanave, në të cilat ka ndodhur incidenti.

“Lidhur me këtë rast, ju njoftojmë se me urdhër të prokurorit, janë ndaluar dy (2) persona, pasi të njëjtit dyshohen se kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë”. Prokuroria Themelore në Prishtinë-Departamenti i Krimeve të Rënda, në koordinim me policinë janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave. Dy persona të dyshuar të përfshirë në këtë rast, ndodhen në arrati”, tha prokuroria.