Zbulo të panjohurën

Policia e Kosovës arreston grupin që falsifikonte pasaporta dhe dokumente

Policia e Kosovës ka kryer të mërkurën një aksioni të gjerë kundër krimit të organizuar.

Prokurorja speciale, Habibe Salihu, ka bërë të ditur se janë kontrolluar 12 lokacione dhe janë arrestuar 9 persona, derisa tre persona të tjerë ishin arrestuar në muajin tetor të vitit 2020.

Florije Hajra zyrtare e Policisë se Kosovës, tha se personat e ndaluar dyshohet se kanë kryer vepra penale të krimit të organizuar, falsifikim të dokumenteve dhe trafikim të njerëzve. Ajo tha se hetimet janë kryer në bashkëpunuar edhe me Agjencinë e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EUROPOL).

“Në të dy këto raste hetimet janë kryer me EUROPOL-in, me Shqipërinë dhe disa shtete të Bashkimit Evropian”, tha Hajra.

Policia tha se operacioni i parë kundër këtij grupi është realizuar më 28 tetor të vitit 2020.

Në 12 lokacionet e kontrolluara gjatë të mërkurës, janë gjetur laboratorë të pajisur me aparatura dhe materiale për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, si pasaporta, kartela identifikimi si dhe dokumente tjera.

Po ashtu, policia theksoi se janë konfiskuar qindra dokumente të falsifikuara si pasaporta, kartela identifikimi, patent-shofer të falsifikuara, të gjitha këto nga më shumë se 16 shtete të ndryshme, kryesisht të vendeve të BE-së.

Të gjithë personat e arrestuar janë shtetas të Republikës së Kosovës dhe me urdhër të prokurorit ndodhen në mbajtje.