Zbulo të panjohurën

Policia e Kosovës deklarohet për intervenimin që bëri në vizitën e Albin Kurtit në Skënderaj

“UÇK, UÇK”, “Thaçi, Thaçi”, ishin disa nga brohoritjet e qytetarëve, teksa Albin Kurti po zhvillonte vizitë në Skenderaj. Por, pse u nevojit ndërhyrja e Njësisë Speciale në vizitën e kandidatit për kryeministër, në rajonin qendror të Kosovës?

Në një përgjigje për Gazetën Express, policia thotë se me rastin e zgjedhjeve të parakohshme është përgatitur urdhri operativ me qëllim që të ofrohet siguria, ruajtja e rendit dhe qetësisë publike.

“Policia e Kosovës, lidhur me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës me kohë ka përgatitur urdhrin operativ, i cili ka për qëllim ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në të gjitha fazat, para gjatë dhe pas procesit zgjedhor”, thuhet në përgjigjen e PK-së për Gazetën Express.

Përveç brohoritjeve, banorët e kanë sulmuar Kurtin edhe me vezë, si pasojë e këtij presioni, ai është larguar nga tubimi, derisa policia po e izolonte turmën.

“Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit, të gjitha veprimet e saja i ndërmerr konform autorizimeve ligjore dhe planifikimeve të saja operacionale…Veprimet policore realizohen konform urdhrit operativ, ku sipas informacioneve dhe vlerësimeve operacionale, angazhohen njësitet relevante policore me qëllim të krijimit të një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë”, përfundon përgjigja e policisë për incidentin e mbrëmshën në Skenderaj.

Por, para se të largohej ai tha disa fjalë për zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Miqve e dashamirëve që keni, farefisit të juaj…që të dilni masivisht në zgjedhje, sepse fitorja kësaj radhe nuk është veç me dalë të parët, se s’ka kush del i pari, na kena me dalë të parët”, ka thënë Kurti në tubimin e mbajtur në Skenderaj.

E vizita e tij në këtë komunë ka ngjallur reagime të shumta.

Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Skënderaj e ka cilësuar si provokim këtë vizitë.

Në reagimin e tyre, të publikuar në ‘Facebook’, ata thonë se vizita e Kurtit me prezencën e Njesitit Special sjellë kujtime të vështira tek qytetarët e Skenderajt.

“Vizitat dhe aktivitetet e Albin Kurtit në këtë formë, janë plotësisht të papranueshme, pasi te qytetarët e Skenderajt dhe Drenicës ngjallin kujtime të kohëve të errëta për Skenderajn dhe Drenicën. Kjo vizitë e blinduar kishte për qëllim provokimin e qytetarëve të Skenderajt dhe viktimizimin e mëtutjeshëm të Albin Kurtit me qëllim të përfitimit elektoral në prag të zgjedhjeve. Vizita e Kurtit sot në Skenderaj u realizua shoqëruar nga njësitë speciale të Policisë së Kosovës, gjë që nuk ndodhi para pak ditësh në veri të Mitrovicës”, thuhet në komunikatën e PDK’së.

Ndër të tjera, PDK në Skenderaj thotë se vizita e tij ka një lloj tendence ta paraqet qytetin të rrezikshëm.

“Tentimi për ta paraqitur Skenderajn si zonë me rrezikshmëri është i kahmotshëm, edhe për kundër se Skenderaj që nga paslufta, bazuar në raportet zyrtare ka qenë dhe vazhdon te jetë zona më e sigurt në Kosovë”, thuhet tutje në komunikatë.

Gjithashtu, sipas profesorit Blerim Latifi, incidente të tilla janë të panevojshme.

Profesori Blerim Latifi ka komentuar vizitën e Albin Kurtit në Skenderaj. Kurti u sulmua me vezë në këtë qytet.

“Konsideroj se incidentet e tilla janë krejtësisht të panevojshme. Dihet mirëfilli se në Drenicë nuk ka mbështetje të madhe për Vetëvendosjen. Mbështetja e saj është minimale. Konsideroj se në Drenicë s’ka arsye me pas frikë prej Kurtit, duhet me ja lejuar që ai me bë fushatë kudo që është e mundur”, tha Latifi në Pressing.

“Albin Kurti mundet natë e ditë me shku në Drenicë mirëpo efektet e fushatës së tij në Skenderaj nuk sjellin ndonjë votë esenciale sepse është e ditur si do të votojnë qytetarët e Drenicës dhe Skenderajt në përgjithësi’, shtoi Latifi.

Për vizitën e Kurtit ka reaguar edhe Kryetari i Komunës së Skënderajt, Bekim Jashari. Ai ka thënë se çdokush është i mirëseardhur ta vizitojë komunën e tij dhe se secili ka të drejtë të shprehë bindjet e tij politike.

“Komuna që unë udhëheq, është e të gjithë shqiptarëve që ia duan të mirën vendit, andaj secili nga ta është i lirë dhe i mirëseardhur kurdo dhe pa asnjë brengë. Për këtë kam punuar dhe do të vazhdoj të punoj pa rreshtur”, ka shkruar Jashari.

Kujtojmë se një javë më herët në Skenderaj kishte qëndruar për vizitë edhe numri dy i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, që për dallim nga Kurti, vizita e tij kishte kaluar pa kurrfarë incidenti.