Zbulo të panjohurën

Policia ndërpret një aheng familjar, dënohen 86 persona për mosrespektimin e masave anti-COVID

Drejtoria Rajonale e Policisë së Prishtinës, si pjesë integrale e mekanizmave kyç në implementimin e strategjisë së Qeverisë së Republikës së Kosovës për parandalimin dhe luftimin e përhapjes së pandemisë COVID-19, në vazhdimësi me një përkushtim dhe angazhim të jashtëzakonshëm ka qenë në nivelin më të lartë të përgjegjësive që ka.

Me fokus të veçantë respektimin e masave për parandalimin dhe luftimin e përhapjes së pandemisë COVID-19, policia dhe inspektorët sot rreth orës 16:00, kanë ndërprerë një aheng.

Kështu për Klan Kosova tha Flora Ahmeti, zëdhënëse e policisë për rajonin e Prishtinës.

Ahmeti bëri të ditur se janë dënuar 86 persona për mosrespektimin e ligjit anti-COVID.

“Tetëdhjetë e gjashtë (86)masa administrative ndaj personave që nuk kanë respektuar ligjin për parandalimin e dhe luftimin e përhapjes së pandemisë COVID-19, si dhe dy (2) fletëparaqitje nga Inspektorët e AUV-it”.

Ajo theksoi se prioritet duhet të jetë ruajtja e shëndetit publik.

“E kuptojmë që është e domosdoshme lidhja njerëzore me njëri tjetrin, por tani për tani duhet të respektojmë rekomandimet e kufizimet e vendosura pasi që ruajtja e shëndetit publik është prioritetet për të gjithë ne”.