Zbulo të panjohurën

Prokurorja thotë se po punojnë me deklaratat e dëshmitarëve, avokati i Thaçit: Po nguteni për ta nisur gjykimin

Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka ritheksuar në seancën e sotme paragjyqësore se e kundërshton urgjencën e Prokurorisë që gjykimi në këtë rast të fillojë sa më parë, raporton Gazeta Express.

“Urgjencën për fillimin e gjykimit sa më të shpejtë të cilin ne e kundërshtojmë për të gjitha arsyet praktike të cilat i kemi paraqitur më parë”, tha avokati.

David Hooper, avokat i Thaçit, tha se kanë vështirësi në marrjen dhe trajtimin e materialeve, ndërsa kundërshtoi prokuroren e cila paraprakisht u ankua se po punojnë në vështirësi jo të pakta.

“Unë i kuptoj vështirësitë. Ka edhe vështirësi dhe kufizime të tjera nën të cilat po punojmë të gjithë. Në një atmosferë gjithnjë e më shumë jobashkëpunuese…. Ne kërkojmë një sistem të nxjerrjes së materialeve përmes së cilit Prokuroria do t’i japë mbrojtjes materialet të cilat i kërkon”, tha Hooper.

Paraprakisht, prokurorja tha se janë duke u marrë me deklaratat e dëshmitarëve.

“Aktualisht jemi duke punuar me deklaratat paraprake të dëshmitarëve dhe do të punojmë edhe me provat”, tha prokurorja.

Ajo shtoi se “nga ana e mbrojtjes nuk vlerësohet dhe kuptophet puna e madhe që na kërkohet për përpunimin e materialeve”.

Ndërsa avokati i Thaçit pati vërejtje edhe për sistemin elektronik për pranim-dorëzimin e materialeve ndërmjet palëve.

“Ne po punojmë me një sistem që është i copëzuar dhe jo i dobishëm”, tha Hooper, duke propozuar që të bëhet një sistem i ri. /