Zbulo të panjohurën

Reagimi i Veliut pas pamjeve: Bulliqi ka eskaluar me dhunë fizike, qytetari është punëtor shembullor

Pas pamjeve të publikuara në Gazetën Express, ku shihet kryetari i Podujevës Shpejtim Bulliqi, duke e sulmuar një punonjës komunal, ka reaguar Agim Veliu që udhëhoqi këtë komunë për disa mandate.

Në një bisedë telefonike në emisionin “Frontal” në T7, Veliu tha se punonjësin e komunës e njeh personalisht dhe ai është punëtor shembullor, ndërsa Bulliqin e ka quajtur të pa-edukuar që sipas tij ka eskaluar në dhunë fizike.

“Shpejtim Bulliqi përveç arogancës linçmeve e shantazheve që po i bën ndaj punonjësve të institucioneve komunale, si duket ka eskaluar dhe ka fillu ta përdorë dhunën fizike. Përdorimi i dhunës është vepër penale dhe keqpërdorim i detyrës zyrtare”, tha Veliu, transmeton Gazeta Express.

Ai tha se veprimi i Bulliqit është i papranueshëm për të dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Z.Bulliqi është i njohur për gënjeshtra e shtrëmbërime, informacionet dje ishin për mua të besueshme sepse është fjala për një punëtor të komunës shumëvjeçar. Unë e njoh personalisht qytetarin dhe është një prej punëtorëve shembullorë që nuk ka pasur nevojë me i dhënë qortim, është i qetë dhe i edukuar. Më ka befasuar shumë dhe sot u vërtetu edhe në pamje që me të vërtetë ka ndodh ajo që ka ndodh”, shtoi Veliu, transmeton Gazeta Express.

“Për mua është tepër e pakuptueshme me ndodh diçka e tillë në QKMF në Podujevë, Bulliqi është i papërmbajtur, i paedukuar, është larg kulturës së Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka mbet i pa edukuar”, tha më tej Veliu.

“Ai në prezencën e ideologut të vet ka thënë se ata që janë të padëgjueshëm mund t’ju jepet nga një bisht sakice”, vazhdoi Veliu