Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka mbajtur konferencë për media, në të cilën ka folur për Gjykatën Speciale dhe paraqitjen e ish-krerëve të UÇK-së javën që lamë pas para gjykatësve të Speciales.
Ish-kryeministri Kurti, ka reflektuar në konferencë duke përmendur ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimin.
Këtu Kurti tha se UÇK-ja nuk ka qenë e asnjërit por e të gjithëve dhe “të gjithë duhet ta mbrojmë atë”, u shpreh ai, transmeton Gazeta Express.
“Kemi folur gjerë e gjatë për Gjykatën Speciale në shtatë vitet e fundit dhe s’ka nevojë të përsërten këto, Kosova ka pasur vazhdimisht Gjykata Speciale…Kjo Gjykatë është e padrejt dhe e njëanshme në raport me luftën e UÇK-së”, tha tutje Kurti.
“Ajo çfarë pretendon prokuroria në aktakuzë është se në UÇK ka ekzistuar një grup Kriminal përbrenda, apo siç e quajnë ata ndërmarrje kriminale. Prokuroria e ka gabim s’ka pasur strukturë paralele kriminale, lajmi për njëfarë NPK-je brenda UÇK-së nuk është i vërtetë”, tha më tej ai.
Kurti ka thënë se Qeveria duhet të mbrojë të gjithë të akuzuarit dhe të bashkërendojë procesin. Megjithëkëtë, ai ka thënë se kjo Qeveri është e paligjshme dhe e pafuqishme dhe vështirë se do të mund të bëjë ndonjë mbrojtje dinjitoze.
“Bashkërendim nga Shteti. UCK nuk ka qenë e asnjërit. Por e të gjithëve. Që të gjithë duhet ta mbrojmë atë. Kjo është edhe punë Qeverie. E sidomos punë Qeverie. Qeveria e Kosovës duhet të angazhohet për sintezën e përfaqësimit dhe mbrojtjes në këtë proces. Mbrojtja dhe përfaqësimi duhet të bashkërendohen e të sintetizohen”, ka thënë Kurti, në konferencën për media.