Zbulo të panjohurën

Rekord i zi në Kosovë, për një javë 70 vdekje dhe afro 5 mijë raste me Covid-19

Që nga e hëna deri të shtunën, në Kosovë janë regjistruar 70 vdekje të shkaktuara nga koronavirusi, derisa në të njëjtën periudhë janë paraqitur edhe 4882 të infektuar me virusin.

Vetëm përgjatë ditës së mërkurë, në Kosovë janë raportuar 17 vdekje përbrenda 24-orësh, të cilat dyshohen të jenë shkaktuar nga Covid-19. Në po të njëjtën ditë, betejën me virusin korona e ka humbur edhe një 21-vjeçar nga Prishtina, shkruan Gazeta Express.

“Brenda 24 orëve janë raportuar 17 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Fushë-Kosovë 2 raste (52, 41 vjeç), Gjilan 2 raste (81, 79 vjeç), Prizren 2 raste (70, 83 vjeç), Suharekë 2 raste (77, 78 vjeç), Drenas 1 rast (77 vjeç), Gjakovë 1 rast (86 vjeç), Istog 1 rast (74 vjeç), Lipjan 1 rast (60 vjeç), Mitrovicë 1 rast (81 vjeç), Prishtinë 1 rast (21 vjeç), Viti 1 rast (69  vjeç), Vushtrri 1 rast (65 vjeç), Ferizaj 1 rast (78 vjeç)”, shkruhej në komunikatën e përditshme të së mërkurës, të lëshuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).

Ndërkaq, numri më i lartë i rasteve ditore me koronavirus është paraqitur të shtunën, me 873 sosh, nga 4.371 mostra të marra. Kështu është bërë e ditur nga faqja zyrtare e IKSHPK’së në ‘Facebook’.

“Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, si dhe laboratoret publike dhe private me metodën RAT, janë testuar gjithsej 4.371 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 873 raste pozitive”, shkruhet në njoftimin e së shtunës.

Edhe në ditën e sotme është regjistruar një numër dyshifror i rasteve të vdekjes prej virusit nga familja SARS-COV2. Brenda 24 orëve, janë paraqitur 11 vdekje të reja.

Në të gjithë vendin, përbrenda kësaj jave, numri më i lartë i mostrave të marra nga laboratorët testuese është shënuar të hënën, me 5.049 njerëz të testuar për koronavirus përbrenda një dite.

Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë, numri i total i rasteve të vdekjes ka shkuar në 1.830. Nga i njëjti institucion shëndetësor njoftojnë se që prej fillimit të pandemisë e deri më tani, në vend janë regjistruar 87.067 raste me Covid-19.

Sa i përket rasteve aktive, siç njofton IKSHPK, në vend janë 13.424 të infektuar aktualisht me koronavirus.