Zbulo të panjohurën

Rektorati distancohet nga gjuha e Ardian Kastratit, rasti do të trajtohet në përputhje me ligjin

Rektorati i Universitetit të Prishtinës është distancuar nga gjuha e profesorit Ardian Kastrati.

Reagimi i UP-së është publikuar në ueb faqen e tyre, teksa e dënojnë fuqishëm gjuhën e përdorur nga ai dhe paralajmërohet se rasti do të trajtohet në përputhje me ligjet në fuqi.


“Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” njofton se ka ndjekur me shqetësim situatën e krijuar si pasojë e një shkrimi të publikuar dje në llogarinë e tij në facebook nga z. Ardian Kastrati, profesor asistent në Fakultetin Filozofik të UP-së.

Universiteti i Prishtinës ka mirëpritur krijimin e institucioneve të reja dhe shpreson në stabilizimin e rrethanave politike në vend. Por, në situatën e krijuar nga rasti i lartpërmendur, UP-ja njofton opinionin që, si institucioni më i madh i arsimit të lartë në vend, kërkon nga personeli i tij, që pavarësisht institucionit ku janë të angazhuar, me sjelljet, qëndrimet dhe deklaratat e tyre, të ruajnë imazhin e UP-së.

Në këto rrethana, UP-ja distancohet nga deklarata individuale e profesor Kastratit si dhe dënon fuqishëm gjuhën denigruese të përdorur.

Në suazat e përgjegjësive të veta statutare, UP-ja, në ditët në vijim, do ta trajtojë rastin në fjalë, në përputhje edhe me ligjet në fuqi”.

Ndryshe, pak më parë u mbajt protestë para rektoratit për shkarkimin e Ardian Kastratit për shkak të gjuhës së përdorur ndaj një gruaje me peshë.

Gjithashtu janë bërë edhe dy peticione online që kërkojnë shkarkimin e tij nga UP-ja.

Për gjuhën e përdorur nga ai nuk është deklaruar akoma PDK-ja e as vetë Kastrati, ky i fundit më pas ka shlyer postimin.