Zbulo të panjohurën

Rikthehet shiu, ky është moti për këtë javë

Java e dytë e dhjetorit me mot më dinamik, me të reshura shiu dhe erë.  Në vise të larta malore edhe me borë.

6.12.2020 – Hapja e korridorit nga Atlantiku përgjatë Mesdheu sjell mbi rajon depërtimin e cikloneve të cilat do të kushtëzojnë gjatë javës në vijim një mot shumë dinamik, me të reshura shiu, por edhe me erëra, e në vise malore edhe me borë.  Ndërkohë depërtimi i masave më të ngrohta ajrore nga Mesdheu do të mbajë temperaturat pak më lartë mbi vlerat mesatare për këtë periudhë kohore.

Një sistem frontal i ciklonit që është formuar mbi Itali, gjatë natës dhe ditën e nesërme kalon edhe mbi vendin tonë, që parashihet të sjell reshje të konsiderueshme shiu.  Intervale me shi më pas pritet të ketë edhe ditën e mërkurë, me mundësi edhe për të enjten.  E në fundjavë, sipas parashikimeve të fundit priten sërish reshje shiu.

Ditëve të para të javës qetësimi gradual i erërave mund të rrisë koncentrimin e ndotësve ajror, ku indeksi i cilësisë së ajrit do të kaloj edhe në vlera të dobëta, e ditën e mërkurë, me mundësi për qarkullim më të madh ajror, cilësia e ajrit zbret edhe në vlera të mjaftueshme, vende-vende edhe të mira.