Zbulo të panjohurën

Rita Ora në veshje kombëtare shqiptare të stiluara nga Valdrin Sahiti për videoklipin e radhës

Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Rita Ora së shpejti pritet të publikojë këngën e saj të re në bashkëpunim me David Guetta.

E veçanta e kësaj kënge është veshja tradicionale shqiptare me të cilën Rita do të paraqitet në videoklipin e këngës.

Prapa kësaj veshjeje qëndron stilisti i njohur shqiptar, Valdrin Sahiti, i cili në një postim të bërë në rrjete sociale thekson se krijoi këtë kryevepër për t’iu përshtatur asaj që këngëtarja ka bërë për vendin tonë.

“Për këtë projekt, ajo më tha se donte t’i ‘tregonte të gjithëve stilin tonë tradicional dhe etnografik’, kështu që unë krijova këtë kryevepër për t’iu përshtatur gravitetit të asaj që ajo ka bërë për vendin tonë”, ka shkruar ai.

Përmes një video të publikuar në llogarinë e saj në Instagram, Rita ka ndarë një pjesë të videoklipit që pritet të lansohet pas 4 ditësh.

“Edhe katër ditë”, ka qenë përshkrimi i videos – ku tregon se ka vendosur ‘link-un’ edhe në biografi të Instagramit për të pasur qasje më të lehtë në momentin e lansimit.