Zbulo të panjohurën

Sabit Geci i dënuar me 15 vjet burg në Kosovë, përmendet gjashtë herë në aktakuzën e Thaçit

Më 5 nëntor është njoftuar se është konfirmuar aktakuza ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata mbanin pozita të larta shtetërore në Kosovë dhe aktualisht po akuzohen për krime lufte, tortura çnjerëzore dhe frikësim.

Në aktakuzën e publikuar nga Dhomat e Specializuara e cila ka 69 faqe, përmenden raste të ndryshme për të cilët ish-krerët e UÇK-së po akuzohen nga Gjykata Speciale. Në mesin e tyre u përmend edhe ish-komandanti i UÇK-së, Sabit Geci.

Në aktakuzën e cila ka 71 faqe, Sabit Geci përmendet në gjashtë raste, ku thuhet se ishte pjesë, sipas tyre, e ndërmarrjes kriminale të përbashkët që udhëhiqej nga Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi.

Në cilat raste përmendet Sabit Geci?

Në rastin e parë thuhet se Sabit Geci ishte anëtarë i ndërmarrjes kriminale dhe kryen krime për realizimin e qëllimit të përbashkët.

“Ndër anëtarët e tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët ishin Azem SYLA, Lahi BRAHIMAJ, Fatmir LIMAJ, Sylejman SELIMI, Rrustem MUSTAFA, Shukri BUJA, Latif GASHI dhe Sabit GECI, si dhe disa udhëheqës të tjerë politikë dhe ushtarakë të UÇK-së dhe QPK-së, ndër të cilët edhe anëtarë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm; ministra dhe zëvendësministra të QPK-së; komandantë të zonave të UÇK-së, zëvendëskomandantë të zonave dhe anëtarë të tjerë të shtabeve të komandave të zonave; komandantë të brigadave dhe njësiteve; komandantë dhe anëtarë të shërbimeve policore dhe të zbulimit të UÇK-së dhe QPK-së; ushtarë të tjerë të UÇK-së dhe zyrtarë të tjerë të QPK-së; si dhe të tjerë që vepronin në emër të UÇKsë dhe QPK-së (së bashku me Hashim THAÇIN, Kadri VESELIN, Rexhep SELIMIN dhe Jakup KRASNIQIN, bashkërisht, ‘anëtarët e NKP-së’). Të gjithë këta individë, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, kontribuan në arritjen e qëllimit të përbashkët. Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”.

Në rastin e dytë, thuhet se midis prillit 1998 dhe janarit 1999, Sylejman SELIMI, komandanti i Zonës Operative të Drenicës, Sabit GECI dhe një numër anëtarësh të tjerë të UÇK-së mbajtën të ndaluar së paku 25 persona për periudha të ndryshme dhe pa proces ligjor të rregullt në ish-stacionin e policisë dhe në disa vende të tjera në Likoc, Skënderaj. Të ndaluarit u mbajtën të lidhur dhe nën rojë në qeli të errëta dhe të kyçura, me dritare me shufra hekuri. Disa nga të ndaluarit në Likoc u mbajtën të ndaluar edhe në qendra të tjera ndalimi.

Në rastin e tretë thuhet se, në Kukës midis majit dhe qershorit 1999, disa anëtarë të UÇK-së, ndër të cilët Sabit GECI, mbajtën të ndaluar së paku 20 persona për periudha kohe të ndryshme dhe pa proces ligjor të rregullt në një ish-fabrikë metali në Kukës, rrethi i Kukësit, Shqipëri. Të ndaluarve iu konfiskuan dokumentet e udhëtimit dhe gjësendet personale. Ata u vunë nën pranga, u lidhën dhe u mbajtën nën rojë të armatosur në dhoma të kyçura dhe me dritare me shufra hekuri. Disa të ndaluar në Kukës u transferuan nga ose për në qendra të tjera ndalimi, [REDAKTUAR].

Në rastin e katërt, thuhet se në Likoc afërsisht midis prillit 1998 dhe janarit 1999, të ndaluarve nuk iu ofrua mjaftueshëm ushqim, ujë, kushte higjienike e sanitare, kujdes shëndetësor dhe/ose shtroja e mbuloja. Një numër anëtarësh të UÇK-së, ndër të cilët Sylejman SELIMI dhe Sabit GECI, rregullisht i rrahën të ndaluarit egërsisht dhe i keqtrajtuan ata psikologjikisht.

“Të ndaluarit u goditën në të gjithë trupin me pushkë, shkopinj bejsbolli, instrumente prej metali dhe shkopinj druri, grushte, shkelma, dhe/ose ndryshe u kërcënuan me lëndime trupore dhe vdekje. Ata dëgjuan dhe panë keqtrajtimin e egër që u bëhej të ndaluarve të tjerë, ndër të cilët edhe anëtarë të familjes, si dhe i detyruan të rrihnin njëri-tjetrin. Të ndaluarit u morën në pyetje dhe u akuzuan se ishin tradhtarë për arsye se përkrahnin LDK-në, se shoqëroheshin me serbë ose me punonjës policie, se ishin spiunë dhe bashkëpunëtorë të autoriteteve serbe dhe se nuk përkrahnin UÇK-në”.

Në rastin e pestë thuet se në Kuikës midis majit dhe qershorit 1999, të ndaluarit u mbajtën në dhoma të nxehta dhe mbytëse, me dysheme të pista prej betoni. Ushqimi, uji, kushtet higjienike e sanitare, kujdesi shëndetësor dhe/ose shtrojat e mbulojat që iu ofruan atyre, ishin të pamjaftueshme. Një numër anëtarësh të UÇK-së, ndër të cilët Sabit GECI, rregullisht i rrahën të ndaluarit egërsisht dhe i keqtrajtuan ata psikologjikisht.

“Të ndaluarit u goditën në të gjithë trupin me shkopinj gome, shufra metali, armë dhe një shkop bejsbolli, u prenë me thika, u goditën me grushte, shkelma, u dogjën, [REDAKTUAR], u qëlluan me armë, ishin objekt i akteve të mbytjes së simuluar dhe/ose ndryshe u kërcënuan me lëndime trupore dhe vdekje. Disa anëtarë të UÇK-së i detyruan dy të ndaluar të [REDAKTUAR] dhe shtinë kundër tyre me armë automatike, duke i plagosur. Një i ndaluar u informua se ishte dënuar me burgim dhe ekzekutim, ndonëse nuk ishte mbajtur asnjë gjykim. Të ndaluarit dëgjuan dhe panë keqtrajtimin e egër të të ndaluarve të tjerë, duke përfshirë edhe të anëtarëve të familjes dhe u urdhëruan të rrihnin njëri-tjetrin. Disa anëtarë të UÇK-së i detyruan të ndaluarit të kryenin punë krahu”.

Dhe krejt në fund, më 17 maj 1999, ose rreth kësaj date, në Kukës të Shqipërisë [REDAKTUAR] u arrestua dhe u mbajt i ndaluar nga disa anëtarë të UÇK-së në një ish-fabrikë metali. [REDAKTUAR] dhe të ndaluar të tjerë u rrahën egërsisht pothuajse çdo ditë nga disa anëtarë të UÇK-së, ndër të cilët Sabit GECI. Më 4 qershor 1999, ose rreth kësaj date, gjatë një keqtrajtimi të tillë, [REDAKTUAR] u qëllua [REDAKTUAR]. Të nesërmen [REDAKTUAR] vdiq si pasojë e keqtrajtimit.

A frikësohej Sabit Geci për ngritjen e ndonjë aktakuze ndaj tij?

Geci, kishte folur për T7 pasi që në media ishte raportuar se edhe atij i është ngritur aktakuzë nga Specialja për krime të luftës. Ai tha se e ka parë që në aktakuzën e krerëve të UÇK-së shihet edhe emri i tij, por shton se nuk ka deri më tani njoftim zyrtar se edhe ai mund të jetë i akuzuar nga Specialja.

Ai i ka cilësuar spektakël arrestimet e fundit të Speciales, e madje tha se nuk i frikësohet edhe nëse atij i ngrihet aktakuzë.

Ndërsa aktualisht, Sabit Geci është rikthyer në burg, për ta vuajtur dënimin për krime lufte.

Me vendimin e fundit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Geci tani dënimin do ta vuajë në burg.

Trupi gjykues i Gjykatës së Qarkut të Mitrovicës, në pati dënuar me 15 vjet burg Sabit Gecin për vrasje dhe keqtrajtime të të burgosurve në Kukës dhe Cahan gjatë viteve të luftës 1998-1999.

I njëjti për shkak të gjendjes së rënduar me shëndetin, burgun po e mbante në shtëpi.