Zbulo të panjohurën

Salihaj: Nëse Gjykata Speciale është e drejtë, do t’i dënojë Thaçin e Veselin

Dikur ndër figurat qendrore e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Adem Salihaj, i kishte shpëtuar një atentati ndaj tij, në qershor të vitit 2000. Disa herë, ish-deputeti i LDK-së, ka thënë se ky atentat, u orkestrua nga Shërbimi i Inteligjencës së Kosovës, i njohur si SHIK. E gjitha kjo, sipas Salihajt, u bë me miratimin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Për të diskutuar për të gjitha këto, si dhe vetë krijimin e Gjykatës Speciale, Adem Salihaj, të enjten ishte mysafir në Frontal.

Ai ka deklaruar që në burg ndodhen vetëm ata që e kryen atentatin ndaj tij dhe jo ata që e kishin dhënë urdhrin.

“Gjykata Speciale ishte një e keqe e domosdoshme. Kishim mundësi ta formojmë vet, apo Këshilli i Sigurimit. Kjo gjykatë, e ka një konotacion që po gjykohet UÇK-ja, por kjo nuk është e vërtetë, sepse po gjykohen individët. Nuk është që këta individët s’kanë bërë krime, sepse e di saktësisht që kanë bërë. Unë jam një viktimë e disa njerëzve të tillë. Për mua janë gjykuar disa njerëz me burg, sepse kanë tentuar të më vrasin për qëllime politike, s’po them se këta janë të pafajshëm, por urdhërdhënësit janë në Hagë.” – deklaroi Salihaj në T7

I pyetur se kush janë ata që dhanë urdhër për vrasjen e tij, Salihaj, tha se nuk ka kush të jetë tjetër, duke përmendur ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish kryetarin e Kuvendit të Kosovës dhe SHIK-ut, Kadri Veseli.

“Mendoj se s’ka kush të jetë tjetër. Mendoj që Thaçi e Veseli, i din të gjithë urdhërdhënësit dhe vrasësit. Nuk ka mundësi që një strukturë e tyre të bëjnë diçka që ata s’e lejojnë. Ata e dinë secilin rast se kush kënd e ka vrarë dhe është bërë me miratimin e tyre”, tha ai.

I pyetur nësë Gjykata Speciale nuk do të ndikohet politikisht dhe do të gjykojë drejt, a do t’i dënojë për krime krerët e UCK-së, Salihaj u përgjigj pozitivisht.

“Unë mendoj që po, për arsyen e thjehtë që nuk ka pasur kush tjetër t’i vrasë veprimtarët e LDK-së. Nuk ka logjikë që Serbia t’i ketë veprimtarët e LDK-së pas luftës. Të gjitha shenjat të çojnë në drejtim të strukturave të SHIK-ut dhe PDK-së.”, deklaroi Salihaj në T7.

Salihaj po ashtu ka thënë se nuk ka njohuri që LDK ka bërë ndonjë denoncim në Gjykatën Speciale.