Zbulo të panjohurën

Selim Selimi thotë se është finalizuar Projektligji për Kompensimin e Viktimave të Krimit

Ministri në detyrë i Drejtësisë, Selim Selimi ka bërë të ditur se në mbështetje të Ambasadës së SHBA-së është finalizuar Projektligji për Kompensimin e Viktimave të Krimit, raporton Gazeta Express.

Lajmin e ka bërë të ditur Selimi përmes një shkrimi në Facebook.

“Edhe përkundër faktit që vendi ynë është lider në rajon që ka të funksionalizuar programin e kompensimit të viktimave të krimit në Kosovë, nga viti 2017 është vlerësuar se ky proces përmes rishikimit të Ligjit ekzistues duhet avancuar, me theks të veçantë: –  Është zgjatur afati për aplikim nga 6 muaj sa është aktualisht në 2 viteve; –  Janë rishikuar kriteret  për kompensim, me qëllim që viktimat e dhunës në familje, mos ta kenë kusht kërkesën për dëmshpërblim nga i pandehuri. Po ashtu një risi është edhe qasja e menjëhershme në kompensim për viktimat e dhunës në familje, viktimat e mitur, ku do të mundësohet që disa lloje të dëmeve të kompensohen pa përfunduar procesi gjyqësor; –  Janë rishikuar  kushtet materiale dhe formale për kompensim, duke përfshirë edhe lehtësime procedurale, si dhe janë zgjeruar llojet e veprave penale”, ka thënë ai.

“Trajtimi i viktimave të krimit dhe rregullimi i tij përmes legjislacionit përkatës, si dhe tani ndryshimi dhe plotësimi është dëshmi e përkushtimit tim dhe të Ministrisë së Drejtësisë që viktimën e  krimit ta mbështes, kompensojë dhe t’i mundësojë ta zënë vendin e merituar në kuadër të sistemit juridik te Republikës së Kosovës’’, tha Selimi.