Zbulo të panjohurën

Selimi: Dhomat e Specializuara kanë veprime politike dhe kanë anime

Ministri në detyrë i Drejtësisë, Selim Selimi, tha se veprimet e Dhomave të Specializuara kanë dal nga veprimi juridik dhe sipas tij, kanë prodhuar fatkeqësisht efekte politike.

“Së pari, ne duhet të besojmë në drejtësi, sepse ajo është në anën tonë. Por një gjë duhet ditur, lëshimi i deklaratave nga ana e Prokurorisë ka qenë dhe mbetet veprim puro politik. Ajo deklaratë nuk është praktikë e drejtësisë sepse elementet që i ka pasur ajo deklaratë kanë qenë politike. Mandej edhe përdorimi i forcës ka qenë joproporcional. Policia e Eulex-it ka përdorur forcë joproporcionale dhe nuk janë pritur aspak mirë nga shoqëria sepse ne jo shumë vonë kemi kaluar nga një situatë e tillë, që për neve ngreh paralele nga e kaluara e afërt. Ai përdorim i forcës ka qenë eksesiv. Andaj kjo mua personalisht më bënë të mendoj që Dhomat e Specializuara kanë veprime politike dhe kanë anime”, tha Selimi.

Këto komente ministri në detyrë i bëri gjatë një takimi virtual të organizuar nga Kosovo 2.0, me ç ‘rast ka folur për bazën ligjore që rregullon mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, që është hartuar nga Ministria e Drejtësisë.

“Në zbatim të Ligjit nr. 05/L-054 për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar potencial në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, Ministria e Drejtësisë ka miratuar aktet nënligjore”, tha Selimi.

Selimi përmendi Udhëzimin Administrativ për Mbështetjen e nevojshme financiare për anëtaret e ngushtë të familjes së personave të akuzuar për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara; Udhëzimin Administrativ për Mbrojtjen juridike të personave të akuzuar potencial për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, i cili më pastaj është ndryshuar dhe plotësuar, si dhe Udhëzimin Administrativ për Kompensimin e personave të akuzuar për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, të shpallur të pafajshëm.

Ministri në detyrë, tregoi po ashtu se me dispozita është përcaktuar edhe mbështetja e nevojshme financiare për anëtaret e ngushtë të familjes së personave të akuzuar potencial për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara.