Zbulo të panjohurën

Serbët e Kosovës vaksinohen në Kurshumli të Serbisë

Para qendrës së vogël shëndetësore në Kurshumli, vetëm tridhjetë kilometra larg kufirit me Kosovën, është mbledhur nga orët e para të mëngjesit një grup i madh njerëzish.

Nga porta e oborrit deri në hyrje në ndërtesë janë vetëm pesëmbëdhjetë shkallë. Shkallët janë bllokuar tërësisht nga njerëzit. Kanë ardhur banorët e enklavave serbe nga Kosova, të cilët po presin të vaksinohen kundër virusit Corona.

Edhe brenda në shtëpinë e shëndetit ka një turmë të madhe njerëzish. Para dhomave për vaksinim janë krijuar radhë të gjata. Infermieret shikojnë regjistrat dhe përpiqen të sigurojnë të gjithë se do të vijnë në rend dhe do të vaksinohen.

Dy orë e gjysmë me autobus, për t’u vaksinuar

92-vjeçari Miodrag Kostiq jeton në Laplje Selo, afër Prishtinës. Ai ka udhëtuar dy orë e gjysmë me autobus, për t’u vaksinuar sepse në Kosovë nuk ka vaksina. Miodragu shoqërohet nga djali i tij Radomiri, i cili vet nuk mund të vaksinohet për shkak të alergjisë ndaj pickimeve të bletëve dhe grenzave. Por megjithatë ai është i zemëruar – jo për faktin se nuk mund të vaksinohej, por për shkak se duhet të bëjë një rrugë kaq ta gjatë me babain e moshuar për një vaksinë.

“Kështu nuk ka askund në botë, që dikujt t’i ndalohet të marrë vaksinë. Nuk ka askund! Vetëm tek ne atje. Jemi detyruar të vijmë këtu. Jemi regjistruar në Qendrën shëndetësore në Graçanicë, ata kanë organizuar transportin me autobusë dhe kemi ardhur këtu për t’u vaksinuar”, thotë Radomiri.

Babë dhe bir kanë ardhur në Kurshumli, së bashku me rreth 400 banorë të tjerë të Kosovës qendrore, për t’u vaksinuar atje kundër virusit Corona. Deri në fund të javës duhet të vaksinohen rreth 900 qytetarë të tjerë të Kosovës, ndërsa 700 janë vaksinuar javën e kaluar. “Pacientët po vijnë tek ne nga pjesa qendrore dhe juglindore e Kosovës. Ne i marrim listat paraprakisht në mënyrë që të mund të përgatitemi. Gjatë ditës punojmë me 7 ekipe. Unë kam ftuar madje edhe mjekë specialistë për të vaksinuar”, thotë për DW, drejtorja e Qendrës shëndetësore në Kurshumli, Uranija Petroviq.