Zbulo të panjohurën

Shifra alarmante, 10 të vdekur për një muaj në aksidente trafiku

Vetëm gjatë muajit janar, dhjetë persona kanë humbur jetën në aksidente trafiku, shkruan Gazeta Express.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës në aksidente trafiku, kanë humbur jetën katër shoferë, tre pasagjerë dhe tre këmbësorë.

“MOS SHPEJTO, FAMILJA TË PRET! Gjatë muajit janar 2021 në Republikën e Kosovës kanë humbur jetën 10 persona në aksidente të trafikut! Gjatë muajit janar 2021 në aksidente të trafikut kanë humbur jetën 4 shoferë, 3 pasagjerë dhe 3 këmbësorë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në ndërkohë sipas statistikave Policisë së Kosovës, numri i përgjithshëm i aksidenteve në vendin tonë gjatë periudhës janar-nëntor të vitit kaluar është 11 mijë e 976, prej tyre 4 mijë e 711 me të lënduar, dhe 7 mijë e 198 vetëm me dëme materiale.

Gjatë kësaj periudhe 8 mijë e 814 persona kanë pësuar lëndime trupore.

E gjatë vitit që lamë pas në aksidente rrugore kanë humbur jetën 80 persona, shkruan tutje Gazeta Express.

Ndërsa në 24 orët e fundit, në vend kanë ndodhur 25 aksidente trafiku me të lënduar, një me të vdekur, si dhe 41 aksidente pa të lënduar.