Zbulo të panjohurën

Sondazhi: 46.2% e votuesve për Vetëvendosjen, 61.1% e tyre nuk do t’i votonin PDK’në, LDK’në e AAK’në as si zgjedhje e dytë

Duket se qytetarët e Kosovës janë të lodhur nga partitë të cilat kanë qenë në pushtet vitet e fundit. 61.1 për qind e qytetarëve të Kosovës nuk i kanë as si zgjedhje të dytë partitë të cilat deri më tani kanë qeverisur në Kosovë, shkruan Reporteri.net.


Në bazë të një sondazhi të bërë nga kompania “Ubo Consulting”, qytetarët të pyetur nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diel, 46.2 për qind e tyre do të votonin për Lëvizjen Vetëvendosje.

Si parti e dytë është PDK-ja me 16 për qind derisa LDK qëndron në vendin e tretë me 14.9 për qind.

AAK-ja e Ramush Haradinajt radhitet në vendin e katër me 7 për qind.

Këto statistika i ka nxjerrë UBO Consulting në periudhën 14-21 dhjetor, një ditë para vendimit të Gjykatës Kushtetuese që çoi vendin në zgjedhje.

Ata janë pyetur edhe cili prej kandidatëve është i preferuari i tyre. Në bazë të këtij sondazhi Albin Kurti prind bindshëm kundrejt kundërkandidatëve për pozitën e Kryeministrit të Kosovës, ku 44 % e të anketuarve e kanë zgjedhur Albin Kurtin.

Pas Albin Kurtit radhitet Avdullah Hoti me 12 %, derisa me 11 % janë Vjosa Osmani dhe Enver Hoxhaj.

Në pyetjen “Pavarësisht se cilën parti politike do ta votonit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, kush mendoni se do të ishte personi më i duhur për pozitën e Kryeministrit të Kosovës?”, Ramush Haradinaj mori 6 %, Behgjet Pacolli 1% po aq sa edhe Fatmir Limaj, Isa Mustafa dhe Mimoza Kusari-Lila.