Zbulo të panjohurën

Specialja kundërshton lirimin e Veselit, Selimit dhe Krasniqit, thotë se Policia e Kosovës nuk mund të zbatojë në mënyrë efektive kushtet e propozuara

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) përmes një shkrese drejtuar gjykatës, ka kundërshtuar lirimin e Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit nga paraburgimi, ku ndër të tjera ka thënë se Policia e Kosovës nuk mund të zbatojë në mënyrë efektive kushtet e propozuara.

Sipas shkresës së ZPS-së, thuhet se klima e krijuar mirë e ndërhyrjes në procesin gjyqësor në Kosovë, e dokumentuar në mënyrë gjithëpërfshirëse më parë, nuk është një kujtim i lashtë historik.

“Kohët e fundit u shfaqën akuza se Agjencia Kosovare e Inteligjencës kishte dy agjentë të paraqitur si dëshmitarë për të dhënë dëshmi të fabrikuara që lidhnin kundërshtarët politikë të ish-presidentit Hashim Thaçi me organizatat terroriste”, thuhet në këtë shkresë.

Po ashtu, kjo Prokurori, në këtë shkresë ka bashkëngjitur edhe një fotografi të Abelard Tahirit, Shpend Maxhunit, Hashim Thaçit e Bedri Hamzës:

Tutje, thuhet se sjellja e liderëve të shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, përfshirë deklaratat e Faton Klinakut këtë verë dhe krimet e supozuara se janë kryer nga Gucati dhe Haradinaj, po ashtu tregojnë qartë se kjo klimë vazhdon.

Sipas ZPS-së, dëshmitarët nuk kanë nevojë të lëndohen fizikisht për t’u frikësuar; edhe perspektiva e lirimit të të akuzuarve në Kosovë krijon frikë dhe pasiguri te dëshmitarët në këtë rast.

Prokuroria ka pretenduar se kushtet e propozuara nuk janë të mjaftueshme dhe edhe sikur të ishin, Policia e Kosovës (PK) nuk mund t’i zbatojë ato në mënyrë efektive dhe se vijimi i paraburgimit të Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit mbetet i nevojshëm.