Zbulo të panjohurën

Specialja zbulon diçka që nuk ishte ditur më parë: Hashim Thaçi ishte intervistuar vitin e kaluar në Hagë

Ish-Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, më 12 dhjetor të vitit 2019, është intervistuar për herë të parë në Hagë, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për Kosovën. Lexoni në Gazetën Online ‘Reporteri.net’ të pathënat rreth intervistimit të parë, nga Haga, të ish-shefit të shtetit.


Më 8 korrik 2020, Hashim Thaçi njoftoi se pas 5 ditësh, më 13 korrik 2020, do të udhëtojë për në Hagë, për t’u paraqitur për intervistim nga Prokurorët dhe hetuesit tjerë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar për Kosovën.

E ky intervistim për krime lufte ndaj ish-eprorit të UÇK’së zgjati kater ditë, në Hagë. E gjitha ndodhi vetëm disa javë pasi Gjykata Speciale njoftoi se ndaj ish-Presidentit kosovar, Haga ka ngritur një aktakuzë, e cila atëkohë ishte në pritje të konfirmimit ose jo nga ana e një gjyqtari francez të procedues penale të Dhomave të Specializuara për Kosovën.

Por ky rast, del të mos jetë hera e parë kur Hashim Thaçi, që aktualisht ndodhet në paraburgim në Hagë, të jetë intervistuar nga Gjykata Speciale, shkruan Gazeta Online ‘Reporteri.net’.

Dokumenti i kërkesës së Zyrës së Specializuar të amerikanit Jack Smith për lëshimin e urdhër-arrestit ndaj Thaçit dhe tre ish-eprorëve tjerë të UÇK’së, i 28 Majit 2020, por që u bë publik tek para tre ditësh, zbulon kohën se kur ish-Presidenti i Kosovës ishte ftuar dhe intervistuar për herë të parë nga Haga.

Në këtë dokument, siç shkruan Gazeta Online ‘Reporteri.net’, Zyra e Prokurorit të Specializuar, tek referencat, në fund të faqes së 4 të kërkesës për urdhër-arrest 22 faqesh gjithsej, thekson se Thaçi për herë parë nga Haga ishte ftuar për intervistim më 17 nëntor 2019.