Zbulo të panjohurën

Sulmi fizik ndaj djalit të Nenad Rashiq nisi pas një të share: Kam me ta ** nënën shqiptare

Këtë të mërkure para gjyqtarit të procedurës paraprake në Degën në Graçanicë të Gjykatës Themelore në Prishtinë kanë dalë shtatë personat e dyshuar për sulmin ndaj djalit të politikanit serb Nenad Rashiq, 18-vjeçarit Nikolla, që ndodhi këtë të hënë në Lapnasellë.

Për ta është caktuar masa e paraburgimit për 30 ditë. Arsyetim për këtë masë është përdorur rreziku që të pandehurit të arratisen, por edhe ta përsërisin veprën.

“Po ashtu të pandehurit nëse do të jenë në liri mund t’i asgjësojnë, fshehin, ndryshojnë apo falsifikojnë provat e veprës penale duke ndikuar tek i dëmtuari N.R., po ashtu duke marrë parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohet se është kryer vepra penale, tregon rrezik se nëse të pandehurit do të gjenden në liri mund të përsërisin veprën penale apo vepra të ngjashme penale”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Përleshja e paradites së hënë, siç konstatohet në dosjen e prokurorisë nisi e tëra, pasi Nikolla Rashiqin e shanë me nënë. Derisa i biri i Nenad Rashiqit zbriti nga autobusi bashkë me D.N, M.J, D.T dhe B.Zh, të gjithë 18-vjeçarë, hasën në M.R, C.Zh, dhe L.K, edhe këta midis 18 e 20 vjeç, dhe në një të mitur I.M që u bë nismëtar i përleshjes.

“I.M e shanë, duke e ofenduar të dëmtuarin Nikolla Rashiq duke i thënë se “kom me ta ** nënën shqiptare” e më pas edhe e shtyn me forcë, me ç’rast i dëmtuari nga frika se mos po e sulmon, e ka goditur të miturin I.M me grusht në kokë, ku më pas ka filluar rrahja në mes dy grupeve…”, shkruhet ndër të tjera në arsyetimin e prokurorisë që kërkoi paraburgim për shtatë të dyshuarit.

Avokatët e të rinjve serb kanë paralajmëruar ankesë në Apel për vendimin e së mërkurës