Zbulo të panjohurën

Trazirat e Marsit-Rrëfimi i babait që iu mbyt djali në lumin Ibër

17 vite më parë vdiqën 3 fëmijë pasi dyshohet se u ndoqën nga serbët, një ditë më vonë u vranë edhe 12 shqiptarë.

Para 17 vjetësh valët e këtij lumi morën jetën e 3 fëmijëve në fshatin Çabër.

Fitim Veseli 13 vjeçar, Florent Veseli 9 vjeçar e Egzon Deliu 12 vjeçar u hodhën në lumin Ibër e më nuk dolën të gjallë.

Por, hedhja e tyre ne lumin e thellë, të ftohtë e të rrëmbyeshëm nuk ishte e rastësishme.

Fitim Veseli i cili ishte shok i viktimave, e që arriti të shpëtojë e kishte përshkruar këtë ngjarje të rëndë për të.

Ai kishte dëshmuar se fëmijët ishin përndjekur nga një grup i të rinjve të komunitetit serb.

Ata dyshohet se me vete kishin pasur një qen të cilin e kishin vërsulur kundrejt fëmijëve.

Nga frika e duke u ndjerë të sulmuar, hedhjen në lum, fëmijët e panë të vetmin opsion.

E 17 vite më vonë Zaim Deliu, që është babai i viktimës Egzon Deliu këtë ditë e kujton si ditën më të hidhur të jetës së tij.

Deliu, mallin për djalin e largon përmes fotografisë së tij që gjithmonë e mban afër.

Por ndryshe ndihej familja Deliu një ditë pasi kishte ndodhur ngjarja.

Meqenëse djali i tij nuk jeton më, familja Deliu, kanë vendosur që emrin e Egzonin ta ripërtijnë tek nipi i tyre.

Vdekja e të rinjve dhe mënyra se si ndodhi ngjarja nuk u pritë mirë nga shqiptarët e Kosovës anembanë.

Tash qytetarët e Mitrovicës po kalojnë qetë e lirshëm urën e Ibrit.

Por, 17 vite më parë nuk ishte kështu.

Demonstratat fillimisht, u nisën si paqësore të cilat u organizuan nga mantelbardhët, profesorët e nxënësit e gjimnazit “Frang Bardhi” në Mitrovicë.

Por, menjëherë filluan provokimet nga serbët e asaj ane.

Trazirat e Marsit filluan me fyerje, sharje e gjuajte me gur në mes të dy etnive.

Por, më pas gjendja eskaloi e filluan të përdoren edhe armët.

Rreth 900 persona mbetën të lënduar.

Qendra Kryesore Mjekësorë Familjare në Mitrovicë, e tëra ishte shndërruar në Emergjencë për personat të cilët vazhdimisht vinin për të kërkuar ndihmë.

E këtë ngjarje më së miri e mban mend doktori, Vllaznim Hoti.

Ai tregon se 12 persona shqiptarë nuk i bënë ballë plagëve dhe ndërruan jetë aty.

E ngjarja është ende e freskët edhe në sytë e kryetarit të KMDNJ-së në Mitrovicë, Halit Barani.

Ai tregon se vetë kishte dalë në protestë, e kjo situatë i ka ngjasuar me luftën.

Në këto demonstrata shumë qytetarë kanë kujtime të hidhura.

Demonstratat mes dy etnive po atë ditë kishin nisur edhe në qytetet tjera të Kosovës.

Ato zgjatën dy ditë ,e në këtë periudhë Kosova përjetoi konflikt të gjerë midis shqiptarëve dhe serbëve të shtrirë në të gjithë territorin e saj.

Ngjarjet ndodhën dhe u zhvilluan me shpejtësi e papritmas, por shenjat mbetën përgjithmonë.