Zbulo të panjohurën

Tre pjesëtarë policorë janë të hospitalizuar me COVID-19 dhe 220 të tjerë në vetizolim

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti në takimin e Komitetit për vlerësimin e situatës me COVID-19 ka thënë se 16 pjesëtarë të policisë nuk i kanë mbijetuar pandemisë si dhe 1,581 zyrtarë policorë kanë qenë të infektuar.

Mehmeti tha se aktualisht 220 zyrtarë policorë janë në vetë izolim, ndërsa tre të tjerë janë të hospitalizuar.

“Zbatimi i ligjit anti-COVID i ka pasojat e veta. Policia e Kosovës aktualisht i ka tre pjesëtarë policorë të hospitalizuar dhe 220 pjesëtarë të tjerë në vetë izolim. Fatkeqësisht gjatë kësaj periudhe kohore 16 pjesëtarë të Policisë së Kosovës nuk kanë arritur t’i mbijetojnë pandemisë dhe kanë pësuar me fatalitet”, ka thënë ai.

Sipas tij, gjatë periudhës së pandemisë 1,581 zyrtarë policorë kanë qenë të infektuar me COVID-19.

Ndërkaq, siç tha Mehmeti policia ka ndërmarr edhe faza preventive duke aktivizuar policinë në komunitet.

“Policia e Kosovës gjatë fazë së periudhës së pandemisë ka vazhduar me punën dhe përballjen e pandemisë. Policia e Kosovës ka aktivizuar operacionin anti-COVID, duke kryer veprime të ndryshme , si bllokimin e zonave, mbylljen e lokaleve, hapja e dhomës komanduese për 24 orë, asistime të inspektimit  të ndryshëm, etj. 506 raste janë mbyllur lokale të ndryshme. Gjatë kësaj periudhe janë bërë 6,871 asistime janë bërë gjatë kësaj periudhe. Janë shqiptuar 147,236 gjoba, ndërsa në katër raste janë detyruar të arrestohen edhe persona. Ndërsa janë shqiptuar 34,469 vërejtje”, ka thënë ndër të tjera Mehmeti.