U.d. i kryeshefit të AZHB’së ishte emëruar nga Besian Mustafa, bastisje edhe në tri komuna të LDK’së
Policia e Kosovës në mëngjes shkoj në zyret e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë ku arrestoi ushtruesin e detyrës së kryeshefit, Agim Nuha, dhe tre zyrtarë tjerë, emrat e të cilëve ende nuk janë bërë të ditur.
Nuha dhe tre të tjerët dolën të prangosur nga objektin dhe u morën nga policia. Sipas raportimeve dyshimet e para janë se ata kanë keqpërdorur subvencione.
Por kush është Agim Nuha?
Emërimi ishte bërë nga Besjan Mustafa i LDK-së që ishte ministër i Bujqësisë në Qeverinë Kurti 1.
Nuha para se të ngritej në postin e u.d. të kryeshefit të AZHB-së, kishte qenë drejtor për Financa në këtë Agjenci.
Policia bastisi edhe në tre komuna të LDK-së…
Por bastisje nuk ndodhën vetëm në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, por edhe në tre komuna të vendit që drejtohen nga LDK-ja.
Policia sot kreu operacione edhe në komunën e Istogut, Gjilanit dhe Lipjanit. Në komunën e Istogut mediat raportojnë se janë ndaluar dy persona.
Aksionin e policisë që u zhvillua në komunën që udhëheq e ka konfirmuar kryetari i Istogut, Haki Rugova, i cili e ka quajtur rutinor.
Policia kreu aksion edhe në komunën e Lipjanit. Por kreu i kësaj komune, Imri Ahmeti, në një prononcim për Reporteri.net ka thënë se në Administratën e Komunës që drejton nuk është kryer ndonjë aksion i policisë.
“Jo në komunë, në administratën e komunës nuk është duke ndodhur asnjë aksion i policisë, në shtëpia private nuk e di”, ka thënë ai për Reporteri.net.
Reporteri.net ka kontaktuar edhe drejtorin e Bujqësisë në komunën e Gjilanit, Ramiz Ramadani, i cili ka mohuar se është kryer ndonjë aksion në komunë.
“Jo, aksioni nuk lidhet me komunën dhe drejtorinë që udhëheq”, ka thënë ai shkurt për Reporteri.net.